E Shtunë, 31 Tetor 2026

TI: Ngërçi politik ndali reformat e luftën antikorrupsion

BRUKSEL- Transparency International deklaron se ngërci i vazhdueshëm mes dy partive politike ka ndaluar reformat më të rëndësishme në dy vitet e fundit dhe bën thirrje për implementimin e ligjeve antikorrupsion, si kusht për integrimin në BE.

Në një raport të fundit, të botuar sot në Bruksel, organizata ndërkombëtare e shoqërisë civile në krye të luftës kundër korrupsionit, analizon situatën në Shqipëri, Kosovë Maqedoni dhe Turqi dhe nënvizon se mungesa e vullnetit politik po pengon luftën kundër korrupsionit.

Në raportin e titulluar “Masat antikorrupsion të BE-së, matja e progresit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Turqi” (EU anti-corruption requirements: measuring progress in Albania, Kosovo, FYR Macedonia and Turkey) nënvizohet se të katër shtetet duhet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve anti korrupsion.

Raporti i bën thirrje qeverive të këtyre vendeve “që të ndërtojnë kapacitete dhe të përmirësojnë qeverisjen e institucioneve kryesore.”
Jana Mittermaie, Shefja e zyrës Ndërlidhëse të TI në BE nënvizon se në këto vende “Ka nevojë për vullnet të fortë politk për të trajtuar problemin antikorrupsion. Siguria se reformat antikorrupsion janë implementuar dhe të pakthyeshme është thelbësore për të siguruar një proces të pranimit të besueshëm dhe një qasje të barabartë për korrupsionin në mbarë Europën”

SHQIPERIA
Duke iu referuar Shqipërisë raporti konstaton se “ngërci i vazhdueshëm mes partive politike ka ndaluar reformat e rëndësishme për gjatë dy viteve të fundit. Sistemi gjyqesor ka nevojë për reforma që të sigurojë pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin e gjykatësve.”
Raporti ndalet në sistemin gjyqësor ku duhet “rritje të kapaciteteve dhe kriteret e përpikta për emërimin e gjykatësve dhe imunitet i limituar në raste keqpërdorimesh dhe korrupsioni.” Sa i përket administratës publike dhe asdministratës në parlament, raporti konstaton se “ka një ndërhyrje politike në emërimin e nëpunësve civilë”, ndërsa “Parlamentit i mungon një administratë profesionale dhe e pavarur.”

Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon që këto 4 vende të permbushin standartet financiare, ekonomike, sociale dhe politike. Këtu përfshihet edhe progresi në fushën anti- korrupsion dhe qeverisjes së mirë “e cila është vërtetuar se mbetet një pengesë për vendet kandidate ose potencialisht kandidate në BE”- nënvizon Transparency International në raportin e publikuar sot në Bruksel.

Raporti konkludon se ndërsa “shpesh herë korniza ligjore ekziston në ajo që mungon është zbatimi i ligjeve për të katër shtetet.” “Kapacitetet e ulëta dhe qeverisja e dobët në gjyqësor, legjislature dhe administrim publik na ndihmojnë të kuptojme boshllëkun që ekziston mes ligjit dhe zbatimit të tij në këto vende.”- nënvizon raporti.

Raporti ka vecuar dhe 5 problemet që ekzistojnë si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Turqi. Ato janë:
- Nivel i ulët dhe jo i vazhdueshme i aksesit në informacion,
- Zbatim jo efektiv i kërkesave për zbulimin e aseteve
- Mungesë ose moszbatim i kodeve të sjelles
- Ndërhyrje politike në përgjegjësitë dhe operacionet institucionale
- Mjedise të varfra pune për gjykatesit, stafin legjislativ dhe nëpunësit civilë.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›