E Diel, 1 Nëntor 2026

TIA: Pronat në Shqipëri, të zhytura në kaos dhe objekt korrupsioni

Nga Armand Maho

Transparency International Albania ka publikuar dje një raport, ku e sheh çështjen e pronave si pengesën kryesore për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit. Raporti i TIA vlerëson se ndryshimet e herëpashershme në ligjin e pronave, në shumë raste të shoqëruara pa akte nënligjore, janë bërë objekt konfuzioni dhe kanë lënë shtigje për abuzime nga persona të ndryshëm. “Legjislacioni, me gjithë përmirësimet e shpeshta, jo vetëm që nuk ka përmirësuar situatën, por ka shtuar konfuzionin. I paplotësuar me akte nënligjore ka lënë mundësi keqinterpretimi dhe abuzimi. Dokumentacioni mbi pronat është i shpërndarë në disa institucione dhe sigurimi i tij nga personat e interesuar është shumë i vështirë”.

Legalizimi

Në raport përmendet se shumica e pronave në Shqipëri mbetet ende e paregjistruar.

Ligji i legalizimeve dhe përplasja e kompetencave mes AKP dhe ALUIZNI për mënyrën e kompensimit, shprehet raporti, ka krijuar vonesa në kompensimin e pronarëve ose ka krijuar mbivendosje të pronës. “Mungon bashkëpunimi institucional ndërmjet institucioneve që prodhojnë ose përdorin dokumente pronësie në nivel qendror e vendor. Ka mbivendosje të përgjegjësive në 2 ose më shumë institucione, siç është rasti i ligjit të ri “Mbi Legalizimin e Ndërtimeve Informale”, i cili ka ngarkuar ALUIZNI me përgatitjen e listave të kompensimit, funksion ekskluziv i AKKP ose me përgatitjen e kartelës së regjistrimit të pasurisë, funksion ekskluziv i ZRPP”, - thuhet në raport.

Zyrat e Regjistrimit

Nga ana tjetër, siç shprehet TIA, ZVRPP, nuk ka filluar ende regjistrimin, megjithëse ka pasur ndihmën edhe të donatorëve të huaj për këtë projekt. Shkak i shumë konflikteve, siç saktëson raporti, bëhen shpesh dhe trojet, të cilat jepen për ndërtim, ku falsifikimi evidentohet në momentin e fundit, gjë e cila më pas gjeneron një zinxhir konfliktesh.

“Konfliktet e pronave që shpesh krijohen pranë ZVRPP, evidentohen dhe krijojnë probleme veçanërisht në rastet e transaksioneve të ligjshme, si edhe në rastet e tjetërsimit të pronave për zhvillim/ndërtim. Ka raste të tjera, kur konfliktet e pronave evidentohen në momentin e regjistrimit të ndërtimit mbas zhvillimit të pronës, duke penguar regjistrimin e tyre pranë ZVRPP, duke krijuar një zinxhir konfliktesh”, - thuhet në raport.

Tokat e bregut

Sipas TIA, probleme shumë të mëdha janë evidentuar me pronat mbi tokat bujqësore, kullota e livadhe e veçanërisht me pronat mbi toka bujqësore që ndodhen në zona turistike.

“Ligji nr. 9948, datë 7/07/2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, do të krijojë shumë probleme veçanërisht në lidhje me transaksionet e ligjshme, si edhe me zbatimin e planeve të zhvillimit të këtyre zonave. Nga ana tjetër, gjatë zbatimit të këtij ligji do të krijohet pasiguri në tregun e tokës, do të pengohen investimet serioze, do të inkurajohet tregu informal i tokës e do të pengohen të gjitha transaksionet e mundshme për një kohë të paktën 3 vjet”, - shprehet raporti.

Policia Ndërtimore

Pas vitit 2007, Policia Ndërtimore i ka kaluar në varësi pushtetit vendor. Kjo shihet nga Transparency International si një gabim i qeverisë shqiptare, pasi në shumë raste kjo polici përdoret, jo në favor të komunitetit, por si instrument i tekave të të zgjedhurve vendorë.

“Që mbas vitit 2007, struktura e kontrollit të ndërtimeve, nga Policia Ndërtimore në nivel qendror, ka kaluar tek Inspektorati Ndërtimor në nivel vendor, gjë që jo vetëm nuk e ka përmirësuar kontrollin mbi territorin, por ky funksion pothuajse është kthyer në inekzistent ose në instrument hakmarrës në duart e disa kryetarëve të bashkive”.

Gjithashtu, në fund të raportit saktësohet se me gjithë shkeljet e evidentuara, sërish nuk janë marrë masa konkrete për zbatimin e ligjit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›