E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza, eksportet me fason bien me 16%, ato të mineraleve 13%

Nga Fitim Zekthi

Eksportet e konfeksioneve dhe të këpucëve gjatë vitit që shkoi kanë rënë me 16%, ndërkohë që kahja rënëse e tyre ka ardhur muaj pas muaji duke u bërë më e thekshme. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave, të cilat i referohen statistikave nga doganat bëjnë me dije se rënia vjetore ka qenë në këtë vlerë. Rënia nisi të bëhet e pranishme në fund të prillit dhe në fillim të majit, sipas statistikave, por ajo kapi nivelin më të lartë gjatë muajve të fundit të vitit, ku krahasuar me muajt respektivë të vitit 2007 ajo ra deri në 24%. Ministria e Ekonomisë thotë se rënia e eksporteve me fason nuk është shumë e ndjeshme dhe ajo është thjesht e lidhur me forcimin e konkurrencës në vendet e rajonit, por edhe me prodhimet që vijnë nga Kina për në vendet e BE. Prodhimet e konfeksioneve dhe të këpucëve në vend eksportohen të gjitha në vendet e Bashkimit Evropian dhe kanë kontrata të nënshkruara që më parë. Ato e kanë tregun në njëfarë mënyre të siguruar që para se të prodhohen, pasi janë mallra që janë porositur që më parë. Prodhuesit e konfeksioneve dhe të këpucëve thonë se viti i tashëm do të jetë shumë më i vështirë, pasi për vitin e shkuar kontratat për eksport ishin nënshkruar që herët, para se kriza ekonomike botërore të shfaqej në përmasat që ka sot. Këtë vit kontratat janë shumë më të reduktuara. Në sektorin e prodhimeve me mall të porositur punojnë rreth 100 mijë punonjës dhe ky sektor jep mbi 55% të totalit të eksporteve të vendit. Kriza ekonomike në tregun e huaj, por edhe në vend i ka prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë këto biznese. Eksportet minerale, sipas të dhënave zyrtare, nisën që prej shtatorit të bien dhe në fund të vitit ato kishin rënë me 13% krahasuar me muajt e verës. Rënia e eksporteve, jo vetëm do të prekë drejtpërdrejt numrin e punonjësve, por ajo do të ketë efekt edhe në thellimin e bilancit tregtar të vendit dhe rritjen e kërkesës së tij për valutë. Tregu valutor në vend është duke përjetuar edhe ai problemet e tij me zhvlerësimin e lekut dhe forcimin e monedhës evropiane dhe asaj amerikane. Dërgesat e emigrantëve janë një arsye, rënia e eksporteve është një arsye e dytë. Qeveria shqiptare është shprehur qartë se ajo nuk do të marrë masa specifike për krizën ekonomike, e cila mund në thellohet në vend, pasi, sipas saj, kriza ende nuk ka mbërritur, por, edhe kur të mbërrijë, ajo do të jetë shumë e lehtë. Qeveria mendon se taksat që ajo ka ulur dhe rritja e pagave që ka bërë janë masat e marra me kohë prej saj dhe që vendet në krizë po i marrin vetëm në tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›