E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dështimi në “dhënie” dhe shkëlqimi në “marrje”

Nga Mero Baze

Zyra e Transparency International në Shqipëri na rikujtoi dje se një nga dështimet më të mëdha të qeverisë është pasiguria që ka krijuar mbi pronat. Kur thuhet kjo, shumë shqiptarë kanë parasysh vetëm ish-pronarët që ende s’kanë marrë tokat e tyre, por në të vërtetë është diçka më e gjerë se kaq. Tronditja e besimit te pronat është shumë më e madhe se tronditja e besimit te pronarët që kjo qeveri ka krijuar. Shkaqet ligjore pse besimi mbi pronarët është tronditur janë të shumta dhe gjenden në xhunglën e ligjeve, VKM-ve dhe përjashtimeve që ka bërë vetë kryeministri. Por besimi mbi pronën është tronditur, pikërisht nga tentimi i qeverisë dhe njerëzve të saj për të konsideruar çdo pronë thjesht të tyre, edhe kur është private, dhe kur është publike, dhe kur është publike me pronarë privatë.

Goditjen e parë besimit mbi pronën ia dha mënyra se si qeveria shkatërroi ish-Komitetin e Kthimit të Pronave, nga konsensual duke e bërë qeveritar. Pra, qeveria guxoi të merrte përgjegjësinë vetë mbi procesin e kthimit të pronave, i cili është mbi të gjitha një proces besimi. Dështimi ishte spektakolar. Çdo vit u ndërrua nga një drejtor, sapo nuk i plotësohej ndonjë kërkesë dikujt nga familja në pushtet. Dhjetëra pronarë u zhgënjyen, ndërsa proceset paralele për bllokimin e kthimit të pronave shtuan dyshimet për grabitje.

Kështu, bregdeti jugor, pasuria më e madhe e Shqipërisë, u konservua nën pretekstin e një studimi që e drejtonte dhëndri i Sali Berishës. I nisur më 2004, me shpresë që do mbaronte më 2005, ai u rinis më 2005 prej dhëndrit të kryeministrit dhe s’ka mbaruar ende. Shkaku pse u stërzgjat ky studim, që mund të mbyllej me kohë, ishte që tokat mos të ishin në dispozicion të pronarëve, dhe ata të shantazhoheshin me njollat e fshatrave turistikë dhe me vijat ku s’do të lejohej të ndërtohej. Ky trafik gjigant pushteti solli skandalin e Jalës dhe tashmë konfliktin me Bankën Botërore.

Aty ku projekti përfundon, në Vlorë nis një kalvar tjetër grabitjeje me tokat e familjes Vlora, me testamentin e Neshat Pashës, kthimin korruptiv të pronave pa respektuar testamentin e tij të trashëgimisë për vakëfin e Vlorës dhe pjesën e pjesëtarëve të tjerë të familjes Vlora. Biznesmenë të fuqishëm, të lidhur me familjen në pushtet, përfunduan kthimin urgjent të mijëra hektarëve dhe sot, nëse do t’i hidhni një sy, do të shikoni se shoku më i ngushtë i Fatmir Mediut në Fier apo të tjerë të lidhur ngushtë me Berishën kanë marrë toka në bregdet nga kjo pjesë. Në këtë mënyrë, pronarët legjitimë nga Vjosa deri në Spille janë tradhtuar dhe janë shantazhuar përmes mekanizmave që krijoi Sali Berisha për t’iu marrë atyre pronën përmes pushtetit. Kjo pasuri që zë pjesën kryesore të vlerës që ka pasuria jonë kombëtare në tokë, tashmë ka tronditur përfundimisht besimin te prona dhe trashëgimia e saj.

Goditja e dytë besimit te pronat iu dha nga mungesa e parimeve dhe procedurave publike se si kthehen apo kompensohen pronat. Ish-pronarët e shkretë, sapo njihnin drejtorin e parë, ai hiqej, pastaj njihnin të dytin, dhe ai hiqej, njihnin të tretin dhe ai hiqej, dhe kështu nuk kanë mundur dot të kontaktojnë për të fituar pronat e tyre në rrugë parimore. I vetmi njeri fatlum është zëvendësja e tyre që nuk hiqet kurrë, por që nuk është aty për pronarët e vjetër, por për “pronarët e rinj”. Asnjë procedurë publike parimore nuk është zbatuar për të fituar statusin e pronës që ke pasur. Për ta ngatërruar më keq këtë punë, del kryeministri dhe thotë: “Disa pronarëve do t’u japim toka të lira në bregdet”, çka të fut në një qorrsokak të ri se kush do të jenë këta fatlumë dhe kush do të jenë ata fatzinj që s’do marrin as lekë, as toka në bregdet. Pra, politika të tilla selektive, jotransparente dhe joparimore kanë bërë që besimi te prona të rrënohet pikërisht për shkak të politikës qeverisëse.

Por, ka një mbiarsye përse Berisha dështoi te pronat. Ai nuk dështoi nga paaftësia, por nga fakti se pronat janë diçka që ai do t’ua jepte të zotëve. Pra, ishte një pjesë e pushtetit të tij që ai do ta mbronte. Ai s’mund ta bënte këtë. Dhe jo vetëm që s’e bëri, por e komplikoi aq shumë, sa as lufta civile s’e zgjidh dot më këtë punë. Dështimi i tij te gjithçka që kishte për t’iu dhënë qytetarëve, është prezent. Ai dështon në dhënien e tokës pronarëve, dështon në dhënien e kompensimit të persekutuarve, dështon në dhënien e TVSH biznesmenëve, dështon në dhënie lejesh dhe koncesionesh jashtë rrethit të vet familjar. Kjo qeveri shkëlqen vetëm në gjërat që duhet t’u marrë pronarëve, biznesmenëve dhe qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›