E Diel, 1 Nëntor 2026

TIRANË/ Mashtruan 64-vjeçarin për 100 mijë euro, arrestohen në flagrancë dy të rinj

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Seen”, duke goditur një tjetër tentativë për përfitimin e shumave të mëdha të parave përmes mashtrimit në platformat e komunikimit online.

Në pranga kanë rënë dy shtetas, të cilët u kapën në flagrancë në momentin kur po merrnin 100 mijë euro nga një 64-vjeçar, të cilin dyshohet se e kishin mashtruar përmes një profili të rremë në rrjetet sociale.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Operacionale”, ndërhynë pas kallëzimit të 64-vjeçarit, i cili kishte dyshime se po mashtrohej në një platformë komunikimi online.

Gjatë operacionit u kapën në flagrancë shtetasit E. K., 24 vjeç dhe O. B., 23 vjeç, në momentin kur po merrnin shumën prej 100 mijë eurosh.

Nga hetimet e kryera me metoda speciale dyshohet se dy të rinjtë kishin komunikuar me 64-vjeçarin përmes një profili të rremë në një rrjet social. Profili ishte aktivizuar duke përdorur të dhënat e një personi të njohur të viktimës, me qëllim mashtrimin e tij dhe përfitimin e shumës së parave.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›