Gjyqtarët refuzojnë tryezën me Ramën, përgjigja e qeverisë me ligjin e ri të pagave

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i ka kthyer përgjigje negative ftesës së kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në tryezën e konsultimit për pagat e magjistratëve, e parashikuar të zhvillohet sot në orën 12:30.
Ftesa e Ramës për tryezën e diskutimit vjen pas tensioneve të krijuara mes përfaqësuesve të gjyqësorit dhe ekzekutivit lidhur me pagat e magjistratëve.
Përmes një deklarate zyrtare të Bordit Drejtues, UGJSH shprehet se e vlerëson dialogun institucional si një mjet për gjetjen e zgjidhjeve kushtetuese, por pjesëmarrja në këtë konsultim është e pamundur për sa kohë që çështja e pagave ndodhet ende në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarët theksojnë se padia e paraqitur prej tyre kundërshton ndryshimet e fundit ligjore dhe kërkon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton standardin minimal të pagës dhe mekanizmin e qëndrueshëm për të ardhmen.
“UGJSH e konsideron të nevojshme ruajtjen e pacenuar të kufijve të juridiksionit kushtetues të kësaj Gjykate, parimet që garantojnë objektivitetin e paanshmërinë e saj, si dhe parimet që garantojnë funksionimin e një shteti të së drejtës”, thuhet në deklaratë.
Unioni nënvizon se mospjesëmarrja në tryezë nuk përbën mbyllje të dialogut institucional, por kërkon që fillimisht të qartësohet situata juridike nga Gjykata Kushtetuese.
Sponsorizuar
Pas vendimit të Unionit të Gjyqtarëve për të mos marrë pjesë në tryezën e thirrur nga Rama, Kryeministria u është përgjigjur përmes një email-i.
Ekzekutivi shprehet se e mirëkupton kërkesën për shtyrjen e takimit, por thekson se dialogu ndërinstitucional duhet të jetë i pavarur nga proceset gjyqësore paralele.
Në reagim nënvizohet se, pavarësisht mospjesëmarrjes së magjistratëve në tryezën e planifikuar, puna për reformën e pagave në sistemin e drejtësisë do të vijojë.
“Dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se duke filluar nga dita e nesërme, do të vijojmë punën për hartimin e ligjit të ri mbi pagat, mbi të cilin ishte përgatitur edhe një parashtrim i përgjithshëm, me synimin për ta shtruar si pjesë të diskutimit dhe dialogut të përbashkët gjatë takimit”, thuhet në përgjigjen e Kryeministrisë.
Qeveria konfirmon ndërkohë se mbetet e hapur për vijimin e dialogut dhe për dakordësimin e një date tjetër për zhvillimin e takimit me përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë.a.b