E Shtunë, 31 Tetor 2026

TOPI, TAKIM ME ROMET

 

Me rastin e Ditës Botërore të Romëve, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot një përfaqësi fëmijësh romë, të shoqëruar nga drejtues të Unionit të Romëve të Shqipërisë "Amaro – Drom". Në një atmosferë të ngrohtë, Kryetari i Shtetit u përshëndet nga afër me të ftuarit, duke shprehur kënaqësinë e veçantë për këtë takim miqësor me fëmijët e bashkësisë rome dhe për mundësinë e bashkëbisedimit të hapur e të përzemërt me ta. Pasi është interesuar për mbarëvajtjen e këtyre fëmijëve në jetë e në mësime, Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë e punës me devotshmëri dhe profesionalizëm për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët, për të mundësuar për ta kushte dhe standarde të larta të edukimit dhe të arsimimit, duke theksuar edhe rëndësinë e vaksinimit të tyre, në mënyrë që fëmijët e bashkësisë rome të ndjehen dhe të jetojnë plotësisht të integruar në shoqëri, si qytetarë të barabartë e me të drejta të plota. Presidenti i Republikës uroi pjesëmarrësit në këtë takim me rastin e Ditës Botërore të Romëve dhe, duke vlerësuar bashkëjetesën dhe harmoninë shoqërore mes të gjithë komuniteteve në vend, theksoi faktin se komuniteti rom, në një vend pa diskriminim si Shqipëria, ndjehet i mbështetur dhe i perfaqesuar në të gjitha nivelet e pushtetit vendor. Nga ana e tyre, përfaqësues të Unionit shprehën mirënjohjen e thellë për pritjen nga Presidenti Topi, të cilit, fëmijët i dhururan në shenjë respekti dhe dashamirësie një shportë me lule, pjesë kjo e traditës së bashkësisë rome.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›