E Shtunë, 31 Tetor 2026

TRANSFERIMI I FAJIT

Në shoqëritë e mediatizuara, siç është edhe kjo e jona, ngjarjet që prodhohen larg nesh dhe që nuk na përkasin ne, bëhen menjëherë tonat dhe përjetohen njësoj sikur të ishin jetuar prej nesh. Teoricienët e psikosociolinguistikës e shpjegojnë këtë veç të tjerash edhe me forcën e madhe të imazhit. Këto ditë, para nesh u rindërtua nga shumë anë imazhi varfërisë. Migjeni, nëse ju kujtohet u përpoq ta vizatonte varfërinë me shumë fjalë e vargje. Sot imazhi i varfërisë na erdhi nga shumë drejtime dhe në fund shifrat ishin tragjike, por më shumë, në memorien dhe në imazhin tonë kolektiv, ka mbetur, besoj e shpresoj, imazhi i asaj nënës nga Bardhaj i Shkodrës që puthte fotografinë e djalit që vdiq në mënyrën më të dhimbshme të mundshme, vdiq i mbytur nga tonelatat me mbeturina që shkarkoi mbi trupin e tij makina e mbeturinave në fushën e hedhjes dhe përpunimit të mbeturinave në Shkodër. Para imazheve të tilla, që të gjithë, sidomos ata që jetojnë në mënyrë normale ndihen në faj. Të duket se në atë tragjedi ke ndihmuar edhe ti, se që të vdiste ai fëmijë padashur ke qenë edhe ti fajtor. Po si? Natyrisht që jo drejtpërdrejt, por tërthorazi dhe kompleksi për një faj jo të kryer nis e bëhet vuajtje e dhimbje dhe njeriu për t‘u shëruar nga kjo dhimbje bëhet ose supersticioz ose shkon në kishë apo xhami, shkurt bën një veprim nga ato që rëndom thirren veprime filantropike. Këtë bëjnë njerëzit dhe shoqëritë normale. Ndërsa në Shqipëri kam përshtypje se ndodh jo gjithmonë kështu. Ndaj këtë shkrim nuk do të kisha dashur ta shkruaja për shumë e shumë arsye. E para pse më ngjan sikur vetëdija e solidaritetit, ndjenja e fajit që provoj ose që duhet të provojmë kur shohim fytyra nënash që qajnë në televizor dhe, duke fshirë lotët me dëshpërim, luten që dikush t‘i ndihmojë; këto skena prekëse e tronditëse, pra, mua më duket se nuk arrijnë të bëhen ngjarje. E dyta, tranzicioni shqiptar është projektuar si një ndeshje mes bandash e të fortësh. Të duket se është bërë gati ligj në këtë vend që, më të fortët, më të fuqishmit, pra ata që kanë mbështetur politikanët që të bëhen deputetë, ministrat që të vjedhin, kryeministrat dhe fëmijët e tyre që të plaçkitin këtë vend, pra gjithë kjo katrahurë duket se perceptohet si një normë e jetës shqiptare në tranzicion. E treta, më duket se ne gati e kemi sanksionuar me një ligj të pashkruar që disa shqiptarë duhet edhe të vdesin për bukën e gojës, duhet të jenë përjetësisht të varfër, ndërkohë që disa të tjerë, kur bëhen bashkë me bandat, duhet të vjedhin votat dhe kur të vijnë në pushtet, këta kanë të drejtë që të jetojnë si në parajsë dhe kanë gjithë të drejtën që të mos pyesin për ata që vuajnë për bukën e gojës.
Këtë shkrim nuk do të kisha dashur ta shkruaja në qoftë se nuk do të ishin bashkuar në një hapësirë të ngushtë kohore disa data, si, Dita Botërore e varfërisë, Dita e Lumturimit të Nënë Terezës, Dita e Shkopit të Bardhë, pra dita e të verbërve dhe kronikat tragjike që po transmeton këto ditë "Fiks Fare". Nuk do të kisha dashur ta shkruaja këtë shkrim në qoftë se bash në kulmin e kësaj atmosfere, mediat të mos kishin dhënë një lajm që do të përpiqem ta shpjegoj më poshtë pse prodhon më shumë dëshpërim sesa shpresë, më shumë faj sesa përgjegjësi, më shumë luks sesa angazhim për t‘u marrë me varfërinë. Ky lajm është angazhimi i zonjës Berisha dhe zonjës Topi që të ngrenë një muze në kujtim të Nënë Terezës. Të kuptohemi, nisma për të nderuar kujtimin e Nënë Terezës, cilado qoftë ajo dhe nga cilido apo nga cilado që të bëhet meriton të përshëndetet. Mirëpo, në ditët kur mediat dhe veçanërisht "Fiks Fare" e kujton Ditën Botërore të Varfërisë me raportime konkrete, me rrëfime tragjike për fëmijë që kanë vdekur të mbytur prej ngarkesës me mbeturina që është shkarkuar mbi ta apo që janë varur në degë kumbulle për shkak se nuk mund ta përballonin varfërinë, pra, në këtë atmosferë, të shpallësh se do të ndërtosh një muzeum është një sipërmarrje jo në kohën e duhur dhe as në vendin e duhur, pra jo shumë e gjetur dhe pak e nxituar. Le të përpiqemi ta shpjegojmë pse. Shqipëria është një shtet borgjez, veç të tjerash edhe në kuptimin se në këtë vend është krijuar shtresa e të varfërve dhe të pasurve. Mirëpo që të gjithë e dimë se borgjezia e Shqipërisë, në përgjithësi, është atipike, sepse ajo, në të shumtën e rasteve, gjithashtu, përfaqësohet nga politikanë, nga gratë e tyre apo fëmijët, si dhe nga ata që në një mënyrë apo tjetër vijnë nga politika. Pra, të pasurit në këtë vend janë njësoj si dje në diktaturë, janë ata që merren me politikë. Kështu ishin edhe dje anëtarët e Byrosë Politike dhe gratë e fëmijët e tyre. Në ndryshim nga ata të djeshmit, borgjezia e sotme politike ka si model borgjezinë perëndimore dhe përpiqet të bëjë filantropi ose thënë shqip të kryejë edhe veprimtari bamirësie. Në vendet me traditë të gjatë kapitaliste familjet e mëdha apo borgjeze që kanë trashëguar në shekuj kapitale, ndërtojnë fondacione deri edhe për të ndihmuar zogjtë e kafshët e pyllit. Ndërsa në Shqipëri, një traditë e tillë nuk po duket, sepse pasunarët e Shqipërisë janë të paktë. Kështu që zonja Liri Berisha merr me vete edhe zonjën Topi(në fakt nga pikëpamja protokollare duhet të ishte e kundërta) dhe shpall nga Shkodra se do të ndërtojnë muzeun e Nënë Terezës. Nuk ka asgjë të keqe. Mirëpo në imazhin kolektiv projektohet kështu figura e gruas së Kryeministrit që varfërinë e sheh si simbolikë, si konfiguracion muzeal, si relike dhe që kërkon të kapet me çdo kusht pas figurës së Nënë Terezës si për të fshehur ndonjë faj të brendshëm. Në imazhin kolektiv ndoshta do të kishte lënë më shumë përshtypje sikur zonja Berisha të kishte bërë një vizitë në familjen e braktisur të Bardhajt në Shkodër, atje ku para disa muajsh ndodhi tragjedia, ku djali 15 vjeç u zu dhe e u mbyt nga mbeturinat që po shkarkonte makina e plehrave të atij qyteti. Në vend të kësaj vizite apo në vend të ndonjë nisme më konkrete për të ndihmuar më nga afër familje të varfra, zonja Berisha ka zgjedhur të ndërtojë një muze në kujtim të Nënë Terezës. Këtu e përsëris nuk ka asgjë të keqe. Vetëm se kjo nismë nuk ka lidhje me varfërinë dhe me solidaritetin ndaj saj. Vetëdija për t‘u angazhuar në ndërtimin e një muzeu qoftë ky edhe në kujtim të Nënë Terezës është shprehje e një krenarie të ligjshme, por të tepruar, është zgjatim i një egoizmi të ligjshëm, por i një egoizmi të shfaqur në kohën dhe në ditën e gabuar. Pas kësaj nisme të zonjës Berisha, fshihet dëshira e saj që të projektohet dhe të identifikohet në figurën e Nënë Terezës. Gjithë kjo luftë që zhvillohet në vetëdijen dhe nënvetëdijen e zonjës Berisha nuk mund ta shpëtojë atë nga projektimi tjetër që i bëjnë asaj shqiptarët. Në këtë pikë, nisma e zonjës Berisha për të përjetësuar në një muze kujtimin e Nënë Terezës e largon atë nga përmbajtja e kësaj figure, sepse në imazhin kolektiv figura e shenjtores shqiptare është projektuar gjithmonë me një fëmijë të drobitur në krah. Muzeu thonë sociopsikolinguistët është shenja ku projektohet egoizmi dhe uni i një individi apo i një etnie. Shpesh, pas dëshirës për të ndërtuar një muze, fshihet edhe dëshira për të plotësuar një anë që na mungon apo që do të donim ta shfaqnim para të tjerëve. Gjithashtu, teoricienët e sociopikolinguistikës thonë se ngjarjet përjetohen në tri mënyra. E para është ajo që ti jeton vetë, pra në këtë rast varfëria është një gjendje reale që e përjetojnë çdo ditë shumë njerëz dhe sipas statistikave sot ajo përjetohet nga një miliard banorë në të gjithë rruzullin. E dyta, është përjetimi që kemi ne për varfërinë si një ngjarje që nuk e jetojmë, por që e përjetojmë përmes rrëfimit që na bëhet për të nga media, nga persona të tjerë dhe e treta është përjetimi i ngjarjes si një kujtim, si një simbol, vendosja e saj në një muze, pra shkëputja prej saj në kohë dhe në hapësirë dhe projektimi i saj në vetëdije, në kujtesë. Në këtë mes Nënë Tereza shkriu dy të parat. Ajo braktisi jetën e saj dhe u bë njësh me të varfrit. E bëri këtë me aq përkushtim sa tronditi botën. Sot në kujtim të saj do të ishte mirë që secili nga ne të zgjidhte një familje të varfër shqiptare dhe ta ndihmonte me ç‘të mundej. Zonja Berisha zgjodhi që ta përjetojë këtë ditë duke u marrë me muzeun. Kjo thonë specialistët, pra e treta është ana spektakolare e jetës, është jeta e kthyer në shfaqje, në skenë dhe në teatër, sepse mes së parës e të dytës të marra së bashku, e treta ka një distancë të madhe kohore. Ndaj dëshira e zonjës Berisha që të shpallë bash në Ditën Ndërkombëtare të Varfërisë apo në Ditën e Lumturimit të Nënë Terezës apo në Ditën e Shkopit të Bardhë dhe në ditët kur media televizive dhe sidomos "Fiks Fare" po na risjell në kujtesë tragjedinë e varfërisë, pikërisht në këtë hapësirë kohore, nisma e zonjës Berisha nuk ishte as e gjetur dhe as në kohën dhe në hapësirën e duhur. Kështu nëse ne mazhoranca e heshtur e transferojmë fajin tonë të pakryer në ndjesinë e dhimbjes apo në psherëtima ngandonjëherë shoqëruar me fraza supersticioze, borgjezia e re shqiptare e transferon fajin në një simbolikë që ka brenda më shumë spektakël e teatër sesa dëshpërim real apo qoftë edhe supersticion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›