E Diel, 1 Nëntor 2026

Amendamenti i Parlamentit Europian, Shqipëria "pa viza"

Eurodeputetët miratuan dje një amendament kompromis për të shtuar Shqipërinë dhe Bosnjën në listën e vendeve pa viza (aneksi II), por me shënimin që të hyjë në fuqi sapo vlerësimi pozitiv i Komisionit për këto dy vende të jetë miratuar nga Këshilli i BE-së. Pas mbështetjes nga Komiteti i Jashtëm, raporti i Tanja Fajon ka marrë votat e Komitetit Europarlamentar për Lirinë, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme. Presionet politike brenda Parlamentit në njërën anë dhe Komisionit në anën tjetër kanë çuar në gjetjen e një kompromisi, që përshpejton procesin e heqjes së vizave "Schengen" me qëndrim afatshkurtër për Shqipërinë dhe Bosnjën.

Një gjë e tillë është e mundur të realizohet para qershorit të ardhshëm sipas raportueses Tanja Fajon, nëse këto dy vende plotësojnë kushtet.

Nëse përmbushen kriteret, eurodeputetët kërkojnë që Komisioni të bëjë një propozim të ri për këto dy vende në muajt e parë të vitit 2010, gjë që do të ndiqej nga miratimi i Këshillit të BE-së pa kaluar më nga Parlamenti. "Ne i hapëm rrugë një procesi të shpejtë, sapo të dyja vendet të jenë gati. Unë shpresoj se vizat do të hiqen dhe për këto dy vende para qershorit të vitit 2010", deklaroi Tanja Fajon.

Eurodeputetët i bëjnë thirrje Shqipërisë dhe Bosnjës që të përparojnë në shpërndarjen e pasaportave biometrike, kontrollin kufitar dhe reformën policore, si dhe i kërkojnë komisionit që të paraqesë vlerësimin për progresin e bërë nga këto dy vende në fillim të vitit të ardhshëm. Shqipëria dhe Bosnja qëndrojnë përkohësisht në aneksin I, ku përfshihen ato shtete, qytetarët e të cilëve kërkojnë viza. Eurodeputetët i kërkojnë Komisionit po ashtu të fillojë dialogun e vizave me Kosovën, duke krijuar një plan për lehtësimin e vizave dhe liberalizimin e ngjashëm, për të shmangur izolimin e kosovarëve në Ballkan. Komisioni kishte propozuar që liberalizimi i vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi të hynte në fuqi në janar 2010, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja nuk përmbushnin kushtet për t‘u kualifikuar.

Kjo është hera e dytë që propozimi i eurodeputetes sllovene korr shumicën e votave, pas asaj në Komitetin për Çështjet e Jashtme disa javë më parë. "Jam e lumtur që qytetarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë do të jenë së shpejti të aftë të udhëtojnë të lirë në BE", deklaroi eurodeputetja Fajon pas votës pozitive. Ndërsa Maqedonia i ka plotësuar të gjitha kushtet, në muajin nëntor pritet raportimi i Komisionit për plotësimin e kushteve të mbetura nga Mali i Zi dhe Serbia. Raporti i hartuar nga Tanja Fajon do të votohet në seancën plenare të 12 nëntorit në Bruksel.

Raporti i Parlamentit dhe propozimi i Komisionit do t‘i kalojnë më pas Këshillit të 27 ministrave të Brendshëm të BE-së, të cilët pritet të votojnë në dhjetor të këtij viti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›