E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muri nga simbol ndarjeje në simbol të klubeve e bareve

"Ne përballeshim çdo ditë me murin dhe ai ishte një shenjë ogurzezë që na nxinte ditën. Edhe pse ndodheshim në pjesën perëndimore të tij, ai lëshonte një hije të zezë dhe të gjithë mendonim se kjo errësirë nuk do të merrte fund kurrë…", thotë një DJ gjerman, muzikant dhe njeri që ka jetuar përgjatë murit thuajse gjatë gjithë jetës. Mëngjeset berlineze janë gjithmonë të bukur, sidomos kur ka qiell të kaltër e pa re, por edhe kur nis të bjerë shi dhe bën ftohtë. Ky qytet ka 20 vjet që po ndryshon me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht zona ku dikur ndodhej muri famëkeq që ndau për dhjetëvjeçarë të tërë njerëz, fate, një popull të tërë. Nëse do të shohësh ndryshimin në këtë zonë, nuk mund ta bësh pa njerëzit që kanë jetuar gjatë dhe pas shembjes së murit. Unë kam zgjedhur dy njerëz të muzikës, që në fakt janë më shumë ca zogj të jetës së natës berlineze, që e njohin historinë dhe ngjarjet e vendit ku jetojnë me imtësi. Ata janë Stiv DJ dhe Nack, një tjetër djalosh bande. Të tre vendosëm që të bënim një udhëtim në zonën që ka pësuar transformimin në të madh në Berlin, zonën që nga simbol i ndarjes u shndërrua në simbol të qejfit e jetës së natës, por edhe të zhvillimit të një jete kulturore të jashtëzakonshme dhe shumëngjyrëshe. Para vitit 1989, "Kreuzberg" ishte një qendër kulture alternative për të rinjtë në Berlinin Perëndimor, një vend ku mblidheshin ata që dëshironin të jetonin të lirë dhe në harmoni me kulturën e mbi të gjitha të improvizonin dhe të krijonin një art ndryshe. Ishin të rinj që vinin nga qytete dhe zona të ndryshme të Gjermanisë Federale. Nga gjiri i asaj shoqërie dolën disa nga grupet më të mira muzikore të Gjermanisë së asaj kohe, grupe që patën një ndikim të madh jo vetëm në jetën kulturore, por edhe në botëkuptimin dhe formimin e një brezi të tërë të rinjsh. Por duke qenë se ai vend shpesh shndërrohej në një kaos e rrëmujë të vërtetë, prania e policisë ishte diçka e përhershme. Kjo situatë para rënies së murit. Pas shembjes së tij, një e treta e godinave në zonën lindore u boshatisën dhe djemtë qejflinj e muzikantë të Perëndimit vendosën që ato zona të zbrazura t‘i shndërronin në vende të reja ku mund të organizonin mbrëmje e festa sipas stilit të tyre të rrëmujshëm, të zhurmshëm, por edhe novator. Në fillim të viteve ‘90 u çelën edhe klubet e para. Ishin improvizime të shpejta, të lira, në vende gjysmë të shkatërruara e të pamirëmbajtura e mbi të gjitha të lëna tërësisht pas dore nga përdoruesit e mëparshëm. Të gjitha godinat, nga magazinat e vjetra, stacionet elektrike, pikat e policisë, që funksiononin në epokën para ‘89-ës, morën një formë tjetër. Bëhet fjalë për zonën që quhet "no man‘s land", ose "toka e askujt". Diku aty, në afërsi të urës "Schilling", syri na zë një lokal me emrin "Maria", i çelur që në vitin 1992. Në kohën e komunizmit, vendi ishte një magazinë e lënë pas dore, ndërsa sot është një ndër 5 vendet më kryesore të të gjithë zonës së lokaleve berlineze. "Është i famshëm për bandat e rokut dhe për muzikën techno", thotë Nackt, që braktisi qytetin e tij të vogël të Burghausenit për Berlinin vetëm pak ditë pas rënies së Murit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Friederichshain ishte një nga zonat më të bombarduara të Berlinit. Pas bombardimeve, zona e dëmtuar u mbush me godina të njëtrajtshme të tipit sovjetik. Veç këtyre godinave krejtësisht gri, të binin në sy në atë peizazh edhe tufat e vijave hekurudhore, të pashkoqura me njëra-tjetrën, si dhe muri i gjatë. Pikërisht në këtë vend ndodhet edhe segmenti më i gjatë që ka mbetur ende nga ky mur, një segment prej 1.3 kilometrash. Aty tani ndodhet galeria "Ana lindore", në të cilën janë pasqyruar rreth 100 fotografi të së shkuarës, përfshi edhe atë të puthjes së famshme në buzë mes ish-kreut të Partisë së Bashkimit Sovjetik, Brezhnjuev, dhe liderit komunist të Gjermanisë Lindore, Honecker. "Ana lindore" ka pasur tradicionalisht qira shumë më të ulët se ajo perëndimore, ndaj u popullua me aq shumë klube dhe lokale. Por që prej disa vitesh ajo është shndërruar në zonën e preferuar të selive të korporatave të ndryshme që janë vendosur në kryeqytetin gjerman, kryesisht korporata muzikore si "02", "MTVEurope", "Universal Music". Ajo që të rinjtë dhe qejflinjtë e Berlinit kanë frikë, është se mos ndoshta tendenca e re do të shkatërrojë klubet e vegjël, të cilët lulëzuan në këtë vend 20 vitet e fundit. Kjo frikë nuk është e pabazuar, sepse ndërkohë disa klube janë prishur dhe në vend të tyre do të ngrihen godina shumëkatëshe. Një tjetër pikë nostalgjike e kësaj zone është Ostalgie, që mishëron gjithë nostalgjinë për atë çka kishte të mirë Berlini Lindor në vitet e tij më të këqija. Është një botë e panjohur, që brezi i ri, sidomos ata që kanë lindur pas vitit 1989, as që mund ta imagjinojnë. Në këtë vend nostalgjikët mund të kënaqen e të ngopen me sende dhe gjëra që i përkasin së shkuarës, që nga veshjet e oficerëve dhe ushtarëve, apo aparatçikëve, e deri te kulinaria dhe mënyra e gatimit. Kjo magazinë e madhe është ndërtuar në një ish-stacion elektrik. Pak më tutje ndodhet një nga klubet më të famshëm të Berlinit, "Berghain". Ai është një klub në të cilin janë pasqyruar shumë vepra arti dhe mund të dëgjosh muzikë live çdo darkë, pavarësisht nëse është fundjavë apo mbrëmje e zakonshme. Por në këtë klub nuk lejohen as fotot, as gazetarët, sepse gjithçka që ndodh brenda mureve të tij duhet të mbetet aty brenda. Më tutje ndodhet "Haus Schawarzenberg", një fabrikë e vjetër e shndërruar në një galeri gjigande, në të cilën ndodhen disa kinema dhe sigurisht edhe shumë klube. Kjo ndërtesë drejtohet nga dy artistë që vendosën të hapin një biznes në vitin 1995, kur erdhën nga jugu i Gjermanisë. Edhe në ambientet e tij ka kudo piktura dhe vepra të ndryshme arti, madje dhe modernë. Kjo është një veçori e lokaleve berlineze. Në to, dy gjëra nuk mungojnë kurrë, muzika live dhe veprat e artit. "Haus Schawarzenberg" është oazi i vërtetë i artit alternativ në kryeqytet. Është një vend i mbushur me grafite, që kryesisht pasqyrojnë fragmente dhe simbolikë mitologjike. Rrallë mund të gjesh në botë kryeqytete ku mitologjia të preferohet kaq shumë sa të pasqyrohet në veprat e artit në pjesën më të madhe të lokaleve e bareve, por kryesisht lokaleve të natës. Për sa i takon jetës së natës, edhe në këtë zonë të pasur me lokale ajo gëlon, por si gjithkund është komercializuar dhe shndërruar në një biznes që ka të bëjë gjithnjë e më pak me artin e vërtetë, edhe pse thellë-thellë kreativiteti nuk është shtuar. Por sekreti është që të shkosh jo në vendet që "përmbyten" nga turistët, por në vende më periferike, më në qoshe, ku artistët ndihen të qetë dhe jo nën presionit e xhirimit të parave dhe të të performuarit vetëm për të tërhequr sa më shumë klientë. Një nga këto vende është "Kaffee Burger", një vend tipik gjermano-lindor, që daton që nga vitet ‘30. Ajo është një kafene e mbushur me postera të periudhës sovjetike dhe me libra të viteve ‘70. Në këtë kafe periferike mblidheshin disidentët e parë gjermano-lindorë, të cilët pinin birrë e hanin patatina duke folur për botën e re pa mur dhe pa sovjetikë. Më tutje shohim një vend ku deri një vit më parë ndodhej Palast Der Republik, Parlamenti i ndërtuar në vitin 1976, në të cilin merreshin vendimet e byrosë politike. Njerëzit kanë mendime të ndryshme në lidhje me vendimin e shembjes së godinës, sepse gjithsesi ajo ishte një godinë që përfaqësonte një të kaluar dhe mund të mbahej si shumë të tjera, si një muze apo tregues i një regjimi të shkuar.
Udhëtimin e përfundojmë në Berlinin Perëndimor, në Klreuzberg. Këtu rruga me emrin "Oranienstrasse" ka qenë gjithmonë në fokus të subkulturave alternative. Në këtë rrugë, bari më trendi është "Luiza", me muzikën e shumëllojshme që varion nga tradicionalja e deri te klasikja e muzikat e rrymave më të fundit. Klubi është ndërtuar në një vend ku dikur shitej mish. Lokali është me hapësirë, por i errët. Rrotull ka edhe divane ku mund të rehatohesh. Më pas, në rrugë gjendet edhe klubi më i vjetër i Berlinit, "SO36". Emri i është vënë duke pasur parasysh kodin postar. Dikur ai frekuentohej nga David Bowie dhe në të kanë luajtur thuajse të gjithë grupet më të famshëm të kontinentit këto 20 vitet e fundit. Por Berlini ka edhe zonën e vet të re, atë trendi. Ajo ndodhet në Hobrechtstrasse. Aty ndodhen lokalet "Salon Petra" apo "Mama", me ornamentet e çuditshme dhe ndjellëse. Ai frekuentohet shumë nga të rinjtë që janë vazhdimisht në kërkim të lokaleve të reja, vendeve të reja, ku mund të takohen me njëri-tjetrin duke pirë birrë e ngrënë patatina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›