TVSH si guri i Sizifit
Përveç hapjes së kutive, opozita ka vënë si kusht për futjen në Kuvend edhe transmetuesin publik. G99 ka zhvilluar disa aktivitete me shënjestër Televizionin Publik. Në morinë e ideve spikat mendimi se më mirë të mbyllet dhe të mos e kemi, sesa e kemi në gjendjen që është.
Por, ndoshta do të ishte më mirë që gjendja e TVSH-së, vëmendja që i kushtohet dhe mënyra se si kërkohet të ndryshojë, të shërbejë edhe si pikënisje debati për vetë gjendjen lirisë së medias në përgjithësi.
Të jesh i lirë si gazetar, apo redaktor, do të thotë që vendimet t'i marrësh në bazë të përvojës dhe ndërgjegjes profesionale dhe jo nga dëshirat, interesat apo presionet e ushtruara, nga botuesi, qeveria, politikani, apo biznesi. Praktikisht, kjo nuk ndodh. Në qendër të debatit për momentin është TVSH-ja sepse është (vet)bërë "shënjestër" më e lehtë.
Familjet shqiptare paguajnë taksë të drejtpërdrejtë përmes faturës së energjisë elektrike, taksë të tërthortë përmes buxhetit të qeverisë. Nëse vështron të gjithë raportet e fundit, nuk gjen dot një fjalë të mirë për punën e operatorit publik. Por, TVSH-ja është maja e ajsbergut.
Pothuaj në të gjithë median operohet me të njëjtin koncept. Është e vërtetë se në asnjë ekran nuk abuzohet nga qeveria dhe zyrtarët më shumë se në TVSH, por në thelb "abuzimi" është i njëjtë.
Është politika që dikton axhendën e medias, përmes zëdhënësve, daljeve publike të liderëve, komunikatave për shtyp, e- maileve, smsve, konferencave për shtyp, simpoziumeve, takimeve përkujtimore, vizitave të personaliteve jashtë shtetit etj etj.
Për fat të keq, ende përbën lajm fakti se me kë takohet filani dhe me kë u përqafua filanka. Edhe media e botës arabe ia ka lënë historisë "këto lajme" sepse koha kërkon lajme të tjera.
Nëse vendos një kompas tek monumenti i Skënderbeut në Tiranë me rreze deri te Hotel Sheratoni në fund të Bulevardit Dëshmorët e Kombit, bëj një gjysmë rrotullimi, ke përfshirë 90% të gjeografisë së "lajmeve" se çfarë ndodh në Shqipëri. Është një mbulim që përshin institucionet, drejtuesit e tyre, qeverinë, NGO-të, institucionet e pavarura dhe liderët politikë në vend.
Megjithë debatet për caktimin e vijës kufitare ujore me Greqinë, Shqipëria është shumë më tepër se kaq. Publiku ka nevojë për shumë më tepër se kaq.
Faqet e para të gazetave dhe edicionet informative janë gati të njëjta çdo ditë të javës, çdo javë të muajit e çdo vit të dekadës, të njëjtat personazhe - personalitete politike ose personalitete në fushën e zbavitjes. Duket sikur të gjithë jemi ulur në një restorant të madh dhe në meny, ka vetëm një pjatë që të serviret.
Raportimi politik mund të jetë i përshtatshëm vetëm për ata që bëjnë lidhje të shkurtër me zyrtarët që përkthehet në ndikim ose në përfitim parash publike. Mes pulës mot dhe vezës sot, të gjithë po rendim pas bikerinave.
Nëse mund të flasim për mision të medias për të kontrolluar zyrtarët dhe politikën, më shumë ekranet i ngjajnë pasqyrës së stilistëve të modës, ku zyrtari tund kokën i kënaqur me punën e bërë nga parukieri. Mes të qenit i ndershëm me publikun dhe të qenit i ndershëm me zyrtarët, për komoditet është zgjedhur e dyta.
Në vend që të jetë lupë po ngulmohet që ekrani të kthehet në pasqyrë. Në epokën, ku informacioni, thashethemet dhe propaganda janë ortek në rritje, nevoja për të diktuar dhe qëmtuar të vërtetën vjen në rritje. Por, e vërteta po i ngjan stalakmiteve në shpella që duan kohë për t'u rritur.
Duke kërcyer nga një dalje publike "live" tek "live" tjetër (sa keq që fjala shqipe është shumë e gjatë: - drejtpërdrejt apo jo") shpërdorohet ajo që vlerësohet më pak dhe që vlen më shumë - koha.
Duhet kohë për të kuptuar... dhe kjo kohë është shumë e vështirë për t'u kapur sepse ndërkohë, tjetri doli "live" në televizion.
Gazetarët janë të mbingarkuar në punë sepse koha u del për të mbushur faqe, por jo për të bërë një shkrim të vërtetë, koha u del për të pasqyruar kronika zyrtare, por jo për të vënë para kameraës njerëzit dhe problemet e tyre.
Në kushtet e varfërisë në burime njerëzore, politika është treguar e gatshme të "ndihmojë" gazetarinë, duke arritur deri aty sa t'i japë edhe kronika të gatshme.
Reporteri më i mirë që ke mund të kthehet në shtëpi në orën 15:00 sepse mitingun e sjell vetë partia. Sigurisht, detaje të tilla që sa njerëz morën pjesë në miting, nga erdhën? Kush i solli? Çfarë dëgjuan dhe si reaguan i përkasin i një kohe tjetër.
Në Shekullin V para Krishtit, në tregimin e tij për luftën e Peloponezit Tuqiditi shkruan: " Sa për faktet... nuk e pashë të arsyeshme që t'i përshkruaj sipas dëshmisë së të parit që ndesha në rrugë, as "ashtu si ma merrte mendja mua", por duke shqyrtuar imtësisht, si ngjarjet ku isha vetë dëshmitar, ashtu edhe ato që mësoja nga të tjerët.
në secilën ngjarje, nuk jepnin të njëjtën variant për të njëjtën ngjarje, por në secilën mbanin anën e njërës apo tjetrës palë; shto këtu edhe vështirësinë për mbajtur mend pas asaj kohe që kishte kaluar".
A nuk tingëllon aktuale? Si mund të gjesh të vërtetën përmes cunamit të madh të informacionit e propagandës, stisjes dhe "ngjarjeve" që gatuhet në mëngjes dhe shpërthejnë deri në orën 12 çdo pasdite sepse...është më mirë të ushqesh "bishën" (median) sesa të presësh të jesh ti ushqimi i saj.
Duket luks të kërkosh gazetari investigative, sepse po rezulton "mish" që përtypet vetëm nga dy-tre gazetarë që u ka hipur në kokë të mbesin gazetarë.
Gjendja mund të ndryshojë, nëse ndryshon rutina e raportimit dhe fokusi i punës. Do të punojmë duke pasur në mendje politikanin dhe zyrtarin apo publikun? E lehtë për ta shkruar e për ta thënë, por e vështirë për ta bërë. Do të jemi të ndershëm me publikun apo me zyrtarin?
T'i kthehemi TVSH-së? Ideja në modë duket se është balancimi politik. Të krijohet përshtypja se kërkohet të balancohet abuzimi me këtë ekran. Ç'ka do të thotë se në vend të një koke shqiponje të kemi dy koka.
20 minuta mazhorancë 20 minuta opozitë. 20 minuta Berisha, 20 minuta Rama. Sërish publiku këtu del jashtë loje. Kthimi i televizioneve shtetërore në televizione publike ka rezultuar një eksperiment i vështirë në të gjithë vendet e Lindjes.
Ku më shumë e ku më pak dështimi është evident. BBC-ja ka mbetur për fatin e keq një model ëndërr, por pemë që nuk zë rrënjë kollaj në një truall tjetër. Pavarësia editoriale, garancia financiare dhe tradita e këtij institucioni janë unike. Por, vetë ky institucion, ndër më të besuarit nga qytetarët britanikë ofron praktika dhe shembuj për cilësinë e punës.
Një prej të cilëve është sistemi i përhershëm i trajnimit. Mund të kesh përvojë 20 vjet si gazetar dhe në mënyrë periodike trajnohesh edhe për fushat dhe disiplinat, ku njihesh si ekspert. Ne nuk mund të flasim për cilësi në profesion dhe në punën tonë, kur më shumë trajnohet dikush që kërkon të bëhet parukier dhe stilist sesa një gazetar.
Si është e mundur që nga pikëpamja teknike të duket më mirë një reportazh televiziv i viteve '50 të shekullit të kaluar se sa një reportazh televiziv i vitit 2009?!! Si është e mundur që shumë trainime të kryer nga trajnerë më të mirë të huaj me para të taksapaguesve evropianë e amerikanë dhe shqiptarë, kanë po atë efekt sa çka puna e një njeriu që ka marrë shatin dhe prashit në det?!!!
Transmetuesi publik bëhet i tillë, nëse ekziston vullneti politik, nëse i garantohet mbrojtja financiare dhe ligjore dhe nëse bordet që mbikqyrin punën përbëhen nga njerëz me integritet që kërkojnë dhe luftojnë që transmetuesi të jetë në shërbim të publikut. Në kushtet e "revanshit" të operatorëve privatë, transmetuesi publik duhet për të pasur emisione cilësore, emisione që nuk marrin spunton nga urgjenca politike apo ekonomike.
Si mund të ndryshojë operatori publik (që duket se i ngjan gaforres që ecën mbrapsht) Kur vektori i interesave që të mos zhvillohet është më i madh se dëshira për të bërë diçka ndryshe? Në të vërtetë njerëz dhe drejtues janë ndërruar e larguar në vite?
Si është e mundur që institucioni që ka përgatitur njerëz për televizione private, institucioni servis në kuptimin më të mirë të fjalës ka mbetur kaq prapa kohës që jetojmë e kohës ku duam të arrijmë. Duhet një koncept i ri, një ligj i ri (aktuali ka 10 vjet që është hartuar), një status i ri dhe në fund... vijnë njerëzit.
Bezdia e përditshme për të bërë punën siç duhet p.sh. në sektorin e informacionit vjen nga ish gazetarë që punojnë në rolin e zëdhënësve. Në përpjekje për të shitur punën e shefit të kujtojnë pabesinë proverbiale të sëpatës, që pasi i mori pyllit një bisht druri hua, ju kthye mbrapsht dhe rrëzoi përtokë gjithë pemët.
Një ekran për publikun nuk mund të lindë nga asgjëja, nuk mund të lindë, nëse nuk ka një mjedis që inkurajon gazetarinë publike. Nuk mund të lindë vetëm si dëshirë dhe presion i politikës, por si nevojë e hapjes së një debati të madh dhe të vështirë për shqyrtimin e rolit të medias, rolit dhe punës së gazetarit.
Nuk mjafton vetëm të paguhesh mirë, nuk mjafton vetëm të kesh kontratë pune të siguruar (gazetarët në TVSH i kanë të plotësuara këto kushte), - kërkohet një mjedis profesionalizmi, trajnime të vazhdueshme dhe liri për të marrë vetë vendimet. Kur gabon vetë media është më mirë sa kur ndërhyn politika apo biznesi. Me kusht që gabimet t'i bëjnë njerëz që e duan median si profesion dhe jo si trampolinë për të kërcyer në poste publike apo ca më keq në fondet publike.
Debati për median duhet zhvilluar jo vetëm me rastin e raporteve ndërkombëtare, por në forume të vazhdueshme, ku të diskutohet rregullisht për median dhe profesionin.
A nuk është koha e një botimi që të monitorojë dhe të diskutojë atë që bëjnë gazetat dhe televizionet? Nëse pranojmë t'i bëjmë gjyqin të gjithëve dhe t'i tregojmë vendin kujtdo, a nuk duhet të shqyrtojmë dhe të gjykojmë atë që e bëjmë keq dhe e dimë që e bëmë keq?
Duhet zgjedhur dhe ndershmërisht duhet thënë se me kë jemi: me publikun apo me zyrtarët? Përpjekja për ta mbajtur mirë me të dy, (gjë që po shihet tek - tuk në media që ecin si macja mbi thëngjij të ndezur) i ngjan gjuetarit në pyll që donte ta kishte mirë edhe me lepurin edhe me zagarin. Dhe sigurisht, tani harron se kur ka qenë "Gjuetia e fundit".