E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një histori "votash 20-mijë lekëshe"

"Metes asnjëherë s'ia kishte pritur mendja të vepronte ashtu; por ja që dita erdhi. Muzika ndryshoi dhe Metja s'kishte rrugë tjetër. Qershori po kalonte shpejt, dhe protagonisti ynë kishte një mision për të përmbushur. Duhet të trokiste derë më derë.


Të blinte vota. Njëzetë mijë lekë të vjetra për një kryq në fletë-votimi. Pazar i ndershëm, mendonte Metja, aq më tepër që nuk kërkoheshin prova për "besnikërinë" brenda kutisë. Thjesht, një premtim, një shtrëngim duarsh dhe përfundonte puna e tij.


Dikush nga Tirana i kishte dhënë një trastë me para, të gjitha kesh, pa ndonjë kompleks. "Shko dhe bli", i kishin thënë. Troç!


Por, fshati ishte i vogël, dhe fjalët qarkullonin. Plus që të gjithë e dinin kush ishte Metja. Plus akoma, që të gjithë po shihnin se si Metja po meremetonte shtëpinë"nga themelet" dhe po bënte në të investime që binin lehtë në sy. Si pasojë, heroi ynë, haste mjaft vështirësi dhe momente të sikletshme.


Një ditë, vendosi të shkonte te një çift të moshuarish. E ulën dhe e sajdisën sipas zakoneve të atyre anëve.


"Po ç'kemi o Mete?" i tha i zoti i shtëpisë, "si shumë vara-vinga po të shoh këtë muaj. Edhe shtëpinë po e zbukuron". Ndoshta për një çast, Metja vendosi të mos e bënte propozimin e shitblerjes, të pinte kafenë, të duronte thumbat e plakut dhe t'ia mbathte një sekondë e më parë. Por, sensi i përgjegjësisë qe më i fortë. Edhe në kooperativë, Metja, dikur ishte i pari që duartrokiste.


"Shiko përse kam ardhur", filloi të fliste Metja me gjysmë zëri, "më duhen votat, jotja dhe të plakës për republikanen. Si shpërblim do të të jap 40 mijë lek". - Plaku u skuq pak nga sikleti: "Ore Mete, po si nuk të vjen pak turp more ditëzi? Po ti deri dje kishe portretin e Enverit varur në mur."


Plaka e cëmbiste fshehurazi dhe ngjyrat i vinin e i shkonin në fytyrë. Por, plaku tashmë e kishte ndarë mendjen: "Më dëgjo mirë tani. Votë për padronët e tu, unë nuk kam. Dhe burrë kurvë si puna jote nuk jam.


Me ato para po e rregulloke shtëpinë zotrote? Po e suvaton me gjakun e atyre fëmijëve të Gërdecit? O palo burrë!! M'u hiq qafe, se më ngrite tensionin! Vjen e më lëpihesh për ata që m'i çuan kalamajtë në kurbet dhe më lanë vetëm!!? Dil jashtë, qen rrugësh!"

Kjo nuk është histori satirike, por një ndodhi e vërtetë, me emra, mbiemra dhe dëshmi, në rast se është nevoja.


Dikush refuzoi, të tjerët me varfërinë te fyti, nuk patën guximin. Njëzetë mijë lekë të vjetra: në atë fshat të thellë jugu, dinjiteti shitej edhe me aq.
Por, gjëja që më bëri më shumë përshtypje, kur bisedoja me ata njerëz, ishte qetësia me të cilën u rrëfyen.


Ndërkohë që unë revoltohesha përbrenda dhe faqet më skuqeshin, vështrimi i tyre ishte jashtëzakonisht i paqtë. Dukej sikur me llumin ishin mësuar prej kohësh edhe pse ky është hapi i parë për t'u zhytur në të.


Në vendin e magjirave, pra, nuk shkakton çudi as magjia më mizore.
Në vendin e magjirave, shteti ka ikur me pushime prej kohësh, duke lënë prestigjatorët e cilësisë së ulët, të çojnë këtë popull drejt edhe në greminë.


*POST - SHËNIM I AUTORIT: Ngjarja së cilës i referohet artikulli ka ndodhur në fshatin e gjyshërve të mi dhe m'u rrëfye gjatë ditëve të fundit, kur qëndrova disa ditë me ta gjatë pushimeve semestrale të shkollës.


POST - SHËNIM I REDAKTORIT: Autori studion Drejtësi në Breshia dhe është një nga korrespodentët e "Shekullit" për Italinë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›