E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ta quash fitore, humbjen!

03-06-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Taktika bajate në veprim, si ato ndaj LMN-së

Edvin Ramës i eci me mposhtjen e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, brenda radhëve. LMN-ja, një grupim elitar i PS-së, u mundua ta stigmatizojë parvënynë Edvin Kristaq Rama, që ia mori kryesinë e PS-së paraardhësit, me metoda bizantine. Jo vetëm, por edhe me përpunimin e  aradheve të përbërë nga individë injorantë, në rolin e ngritjes së duarve (amin!), si manekinë të telekomanduar, për kryetarin e ri që ia zuri vendin të mëparshmit, se ky pranoi humbjen zgjedhore të 2005-s. Mund ta bënte kryetari atë batakçillëkun e Ramës, i cili po lëpihej që t’ia zinte vendin! Por duket se edhe dinjiteti  individual ka përballë disa limite që nuk kapërcehen dot! Me përjashtim të Edvinit, të cilin nuk e përmban asnjë kufí, kur synon të arrijë një synim, që ka të bëjë me karrierën e tij të pafrenueshme.
Zgjedhjet e 2005-s ishin më të mira se të gjitha zgjedhjet paraardhëse. Por jo më të mira se ato të 2009-s. Sikundër edhe këto të 2009-s nuk ishin më të mira se zgjedhjet e 8 majit 2011. Këto të 2011-s, kishin arritur një shkallë të epërme të transparencës gjer në një nivel të tillë, sa edhe mbarë populli, individët e të cilit në shtëpinë e tyre, para ekranit të televizorit, e ndjenin veten përbrenda odave të zgjedhjeve; po ashtu edhe përbrenda selisë së KZAZ-ve. Çdokujt i  dukej, gjithashtu, se gjendej në sallën e KQZ-së. Një transparencë të tillë s’është vërejtur ndonjëherë ndër zgjedhësit shqiptarë.
E përdorim fjalën „transparencë“  sepse E. Rama ka pas luajtur së tepërmi me këtë fjalë, gjer në shpim të timpanit të veshit! Ai obskurantizmi zgjedhor, - ku fjala “obskurantizëm” në mes të togfjalëshit, mund të përdoret si një antonim i transparencës, - e mbajti në fuqi pushtetin e  zvetënuar majtist me mujshí të skajshme, për tetë vite rresht. Fillimisht ishin „zgjedhje“ domenesh, si ato të qershorit të 1997-s, me lista zgjedhore që aman o Zot (që morën emrin listat e Finos); me policë me rrobe ushtarake, por edhe civile, që ndalonin zgjedhësit e padëshiruar të futeshin qoftë edhe në oborret e sallave të zgjedhjeve, si në zonën e Kënetës (Durrës); me dokumente identifikimi që mund të merreshin me kile në zyrat e gjendjes civile, që ishin në varësi të të majtëve; me komisionerë socialistë që largoheshin me gjithë vulat, sikur t’i kishin në posedim pronësor të trashëguar nga diktatura; me “ruajtje” të kutive të votimit në selitë e PS-së në rrethe dhe në qendër!
Kjo tymnajë zgjedhore i ka ardhur për osh E. Ramës, që t’i ketë si etalon zgjedhor për t’i përdorur në propagandën e tij subjektive édhe për zgjedhjet që patën një progresion në rritje cilësore: 2005-2009-2011. Vetëm ato të 2005-s ishin të mira për Ramën. I shërbenin diabolizmit të tij, për t’ia zhvatur kryesinë e PS-së humbësit. Jo vetëm që zgjedhjet e 2005-s nuk u cenuan e nuk u kritikuan nga kandidati për uzurpator, por edhe pushteti tetëvjeçar 1997- 2005, u quajt i korruptuar, dhe qeverisja u cilësua si një regjim i degjeneruar gjer në palcë, si një pushtet i  skafeve klandestine, i drogës, i trafikut të prostitucionit e i njëmijë të zezave të tjera. Harroi të thoshte se në këtë tetëvjeçar, para se të merrte në dorë bashkinë e kryeqytetit, ai kishte pas qenë ministër i Kulturës. Do të mbahet mend si një periudhë e aktivitetit zero, por edhe i kapadaillëkut ndaj të gjithë artistëve, - që u mbyllën në greve protestuese urie, - të cilët u nxorën barbarisht, me shkopinj gome e të rrahur, nga vendet e ngujimit! Sa për korrupsionin e mallkuar(!), ai e tregoi sërish inkoherencën e tij me mbrojtjen e Theodhori Sollakut, i cili i kishte pudrosur me pluhurin e harresës dosjet e  hajdutëve me damkë, të përmendur nga Rama, për efekte aktoriale. Tani Edvini, që kurrë nuk ka pasur një program zgjedhor, nuk di ç’etalon zhvillimi do të na ofronte për mrekullitë që do të bënte, po të fitonte!
***
Tani Edvini kërkon t’i punojë një populli të tërë, atë lojën që lozi me LMN-në: Ai është fituesi! Po vërtetohet gjithmonë e më tepër se fituesi është Lulzim Basha, jo Edvin Kristaq Rama! Ato “manipulimet” në halucinacionet e tij, po i merr era. Kutitë nuk hapen e mbyllen ashtu siç sajon Edi. Kutitë janë me kode dhe hapen e mbyllen në prani të dy të ngarkuarve antagonistë.
Nëse Kodi Zgjedhor nuk është i përcaktuar mjaftueshëm në disa raste, atëherë i drejtohemi Kushtetutës, që kërkon barazinë e votës për të gjithë votuesit. Rama kërkon pabarazinë e votës, me atë ngulmimin e tij që ai të dilte fitues me +10 vota (si përcaktuar i çoroditur, e kishte quajtur “fitore historike!). Kurse Lulzim Basha ka, së paku, 8 HERË më shumë vota, të cilat nuk u dashkan qëmtuar e vlerësuar nga KZQ-ja! Por as kjo, as Kolegji Zgjedhor nuk mund të marrin një vendim antikushtetues!
Sidoqoftë, këto janë si mbështetja e të mbyturit te fija e kashtës! Akuzat e tij janë si të një ndërliquri! 20 mijë komisionarë socialistë u quajtën tradhtarë (!). Duhej bërë një shoqatë kombëtare e tyrja, që ta paditnin në gjyq për shpifje! Apo si 70 mijë karta biometrike, që na qenkëshin të falsifikuara! Asnjë provë. Vetëm ngritja para kamerave, në distancë, e nja tri “të tillave”,  si...dëshmi vërtetësie! Por ja që s’kemi parë ndonjë gjyq spektakolar që të akuzonte të “fajësuarit” për këtë falsifikim të pamundshëm! Domethënë, akuza hiperbolike në havà! Shpifës të papërgjegjshëm...
Në një fjalim të çartur, po e nxjerr ekonominë shqiptare, si më të prapambeturën e rruzullit. Po të krahasohen këto mendime kuturù me analizat e FMN-së, vihet re se Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë publike deklarata që mund të lexohen nga cilido, që bëjnë fjalë për një qëndresë mjaft pozitive që Shqipëria i ka bërë krizës ekonomike botërore. Nga cilët mund të jetë i besueshëm, në këtë mënyrë, E. Rama? LMN-në vërtet e plandosi, me grushtin e vet të hekurt antidemokratik. Por kjo Lëvizje ka ende trima, si Kastriot Islami dhe si Andis Harasani, që ia kanë thënë të vërtetat në sy. Këta persona mund të jenë si një pikënisje për një rigjallërim të kësaj Lëvizjeje brenda radhëve. Dhe atëherë, Edvini do të jetë i vetmuar me populistët e tij, të paguar për sherr!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›