Kastriot Islami: “Të tjerë deputetë socialistë do të thyejnë bojkotin e Kuvendit”

Pas Andis Harasanit dhe Kastriot Islamit, janë edhe shumë deputetë të tjerë socialistë që kanë shfaqur hapur bindjen e tyre se bojkoti i tej-zgjatur i Kuvendit të Republikës, është një vendim eunuk si dhe i dëmshëm për vetë PS-në dhe opozitën
Deputeti socialist Kastriot Islami i pranishëm dje në seancën parlamentare të Kuvendit bashkë Andis Harasani, por pa grupin parlamentar, deklaron se në fakt ka dhe të tjerë deputetë në radhët e socialistëve që duan t’i japin fund bojkotit, ndonëse ende nuk kanë arritur ta thyejnë këtë vendim grupi.
“Janë një grup njerëzish të tjerë, shumë deputetë, që mendojnë të paktën ndryshe se, nuk është mirë për forcën politike që të vazhdohet bojkoti, ndonëse ata ende nuk kanë arritur në një koalicion apo mendim të përbashkët ndryshe”, u shpreh Islami.
Deklarata është e Kastriot Islamit, i cili së bashku me deputetin tjetër Andis Harasani, vijuan dhe këtë të enjte të dalin jashtë vendimit të grupit, duke qenë të pranishëm në seancë plenare. Ai tha se prania e tij në seancë plenare është në rezonancë me kërkesën e partnerëve tanë ndërkombëtarë, por edhe në raportin që Këshilli i Monitorimit në Këshillin e Evropës ka bërë për vendet në monitorim si Shqipëria. Ai kritikohet si e papërgjegjshme klasa politike, veçanërisht bojkoti i opozitës shqiptare të udhëhequr nga Partia Socialiste.
“Kjo, në një mënyrë apo një tjetër më jep mundësinë që të jem jo vetëm në rezonancë me atë që presin shqiptarët për të kaluar në një normalitet, por edhe faktori i rëndësishëm ndërkombëtar, në mënyrë të rëndësishëm Këshilli i Evropës”, tha Islami.
Por, një tjetër motiv që e bën Kastriot Islamin të jetë i pranishëm në sallën e Kuvendit kundër vullnetit të drejtuesve socialistë, është edhe vendimi që pritet të japë të premten Kolegjin Zgjedhor për garën e Tiranës.
Islami përcjell mbështetje për 8 pjesëtarët e trupës gjyqësore të zgjedhur me konsensusin e palëve, përfshirë edhe atë të Partisë Socialiste. Ai u bën thirrje kandidatëve për Tiranën që të shprehen qartë se do ta njohin si të drejtë vendimin e Kolegjit Zgjedhor të Apelit.
“Pjesa më e rëndësishme është që duke pasur besim te ky institucion i cili është ngritur me konsensusin e palëve, të dy kandidatët duhet të shprehen qartë për të pranuar rezultatin që do të japë Kolegji Zgjedhor”, deklaroi deputeti socialist.
Që në ditën e zgjedhjeve, Lulzim Basha, kandidati i koalicionit të Partisë Demokratike ka deklaruar se do të njohë çdo rezultat dhe se mbështet numërimin e çdo vote të qytetarëve të Tiranës.
Në këtë situatë, duket se apeli i Islamit drejtohet me shumë tek kreu i forcës së tij politike Rama, që të shprehë po kaq qartë besimin e tij tek drejtësia e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor.
Në daljet e tij publike, Rama i ka bërë thirrje Kolegjit ta shpallë si të vlefshëm vetëm rezultatin që nxori Ramën fitues me 10 vota, kur procesi në fakt nuk kishte përfunduar, ndërkohë që votat e rregullta për kreun e bashkisë, por të hedhura në kutitë e tjera si dhe votat e kontestuara ende nuk ishin numëruar.
Polemikat
Braçe, Ramës: Na lejo të shkojmë
në Kuvend, rrugëve po na zhurit dielli
Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherazi nënkryetari i grupit parlamentar, Erjon Braçe, sulmon kreun e PS, Edi Rama, se e ka kthyer PS-në në një forcë politike pa dinjitet, ndërsa vendimi më i fundit për të bojkotuar Kuvendin, tregon dobësinë e PS përballë PD.
Në një status të publikuar në rrjetin e tij social në Facebook, Braçe dukshëm shpreh zemërimin e tij, duke e konsideruar të gabuar vendimin e Ramës dhe Ruçit, për të mbajtur PS-në jashtë dyerve të parlamentit.
“PS duhet të dalë nga kllapia! Më 8 maj, shqiptarët i dhanë dy mandate të qarta. 1. Mandat Politik- Partia më e madhe e më e votuar në këtë vend: 2. Mandat Qeverisës-Do qeverisë 2/3 e qytetarëve në jetë vend. Por ajo po sillet si humbëse, jo si e zgjedhura e njerëzve. PS duhet t’i përdorë këto dy mandate për t’i dhënë zgjidhje problemit të demokracisë. Në rrugë institucionale e në rrugë jashtë-institucionale. Tani! PS deklaroi pak më parë se nuk do të njohë privatizimin e shpallur nga Sali Berisha në sektorin strategjik, veçmas të Energjisë. Por bën gabim! Nuk është privatizim! Është shpronësim me dhunë, pas vjedhjes së zgjedhjeve, që i bëhet çdo shqiptari. Deklarimi për shtyp nuk i mjafton. PS duhet të kundërshtojë ashpër shpronësimin në Kuvend, sheshe, rrugë dhe kudo!”, përfundon shqetësimin e tij Erjon Braçe.
Ai i kërkon publikisht Edi Ramës të ndryshojë metodikën e linjës së drejtimit të PS pasi aktualisht i ngjan më tepër një seksioni turistësh që zhuritën në diellin përvëlues të verës.
Shqetësimi i tij është aq i kuptueshëm , sa edhe aq i pabesueshëm.
Opozita bojkotoi sërish Kuvendin, rikthehet në identitetin e standardit “Rama”
Deputetët e partisë Socialiste kanë bojkotuar sërish seancën e djeshme plenare duke ri-konfirmuar kështu bindjen ndaj kryetarit të tyre Edi Rama. Dy ditë më parë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka paralajmëruar se deputetët socialistë do të bojkotojnë Kuvendin deri në shpalljen e kandidatit fitues të betejës elektorale të 8 majit për bashkinë e Tiranës nga Kolegji Zgjedhor. Vendim i cili pritet të merret sot nga Kolegji Zgjedhor më 3 qershor.
Sërish deputetët socialistë në seancën e dytë plenare, pas zgjedhjeve të 8 majit ri-konfirmuan bindjen ndaj urdhrave të kryetarit të tyre. Bojkoti i PS i njoftuar që më parë, edhe përmes kreut të PS-së, Edi Rama, sipas të cilit deputetët nuk do të jenë për aq kohë sa Kolegji Zgjedhor të shprehet për fituesin e bashkisë së Tiranës tregon edhe mosbindjen dhe një shenjë kontestimi ndaj rezultateve të KQZ-së për kryetarin e bashkisë Tiranë.
Të vetmit deputetë të partisë Socialiste të pranishëm në sallë ishin dy deputetët e PS-së, Kastriot Islami dhe Andis Harasani. Harasani ka dëshmuar kështu thyerjen e bojkotit të socialistëve duke qenë prezent jo vetëm në seancat plenare por edhe në komisionet parlamentare.
Kësisoj, Partia Socialiste e ka shumë të vështirë të pranojë standardin demokratik të pjesëmarrjes në Kuvendin, në vendin e debatit dhe dialogut politik. Fatkeqësisht, opozita shqiptare i është nënshtruar standardit “Rama”, një standardi eunuk dhe të dëmshëm për politikëbërjen në vend.