E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi, 15 milionë euro për aksionet e Bolonjës

Operacioni, sipas të cilit manjati shqiptar i naftës do të zotërojë 60-80 për qind të klubit të Serisë A, është rreth 15 milionë euro.

Familja Menarini, pronare e kuqebluve, po zhvillon prej kohësh negociata me njeriun që ka lidhje të forta në futbollin italian (për t‘u theksuar miqësia me presidentin e Milanit, Silvio Berluskoni dhe administratorin Galiani).

Shqiptari shihet si një investitor që do të nxjerrë skuadrën nga kriza financiare. Taçi mbështetet edhe nga tifozeria e Bolonjës, që shpreson në rilindjen e klubit. Problemet ekonomike nuk janë të panjohura te Bolonja, që vetëm në javën e fundit të kampionatit të kaluar, arriti të siguronte mbijetesën në elitën e futbollit përtej Adriatikut.

Në fakt, klubi ka falimentuar në vitin 1993, vetëm pak javë pasi skuadra ra për herë të tretë në harkun e 11 vjetëve në Serinë C1 (Kategorinë e Tretë në Itali).

Drejtuesit aktualë kishin në dispozicion 5 milionë euro për merkaton e verës, megjithatë fondet shteruan shumë shpejt. Pas katër blerjeve, në arka kanë mbetur vetëm 2 milionë euro, ndërkohë që trajneri Papadopulo kërkon blerjen e të paktën pesë ose gjashtë lojtarëve të tjerë, për të përballuar me sukses sezonin e ri.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›