E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku Bashkia mbeshtetje ne zgjidhjen e problemeve te qytetareve

Përfaqësues nga Shqipëria, Italia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, pjesëmarrës në projektin e miratuar në kuadër të Cross Border IPA Adriatic, ku partnere kryesore është Bashkia e Tiranës, janë mbledhur në Tiranë, për të diskutuar lidhur me hapat që do të pasojnë, për të çuar në realizimin e këtij projekti. Zv/Kryetarja e Bashkisë së Tiranës Jorida Tabaku tha se shuma e dedikuar për këtë projekt është 2 milionë euro për të gjithë partnerët, ku 700 mijë euro janë për Bashkinë e Tiranës.

“Fondi i akorduar Bashkisë së Tiranës do të dedikohet kryesisht në asistencën teknike, mbështetjen, hartimin e planeve të biznesit, në trajnimet për këtë grup në nevojë dhe sigurisht do të jetë edhe pika kryesore, për të mbështetur e ngritur biznese sociale, biznese të cilat kanë lidhje me shtresat sociale më në nevojë, biznese të cilat do të promovojnë dhe do të nxisin sipërmarrjen në një kategori të caktuar individësh, si personat me aftësi të kufizuar, gratë që kanë qenë subjekt i dhunës, familjet më në nevojë etj, të cilët e kanë të pamundur që të operojnë vetë dhe të ofrojnë shërbimet e tyre në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pa mbështetjen e pushtetit lokal”- tha Tabaku, e cila shtoi se brenda tre mujorit të parë të vitit të ardhshëm, do të fillojnë dy apo tre sipërmarrjet e para sociale dhe do të shtrihet në të gjithë Tiranën, përveç minibashkisë 9, e cila është ndër partnerët kryesorë në këtë projekt.

Bashkia e Tiranës, theksoi Tabaku përveç iniciativave nëpërmjet këtij projekti do të mbështesë edhe me politika të tjera fiskale këtë shtresë.
“Ne do të përpiqemi, që përveç sektorëve që jemi duke mbështetur aktualisht (librashitës, luleshitës dhe artizanat), të kemi edhe lehtësira të reja fiskale për bizneset sociale, për bizneset sociale që do të operojnë në qytetin e Tiranës dhe shpresoj se eksperiencat që do të ngremë nga ky projekt do të na ndihmojnë për të pilotuar këtë lloj biznesi dhe për të identifikuar fushat ku ne mund t’i ndihmojmë më mirë këto biznese” - theksoi znj. Tabaku.

Nënkryetarja e Bashkisë theksoi se Bashkia e Tiranës është dhe do të mbetet partner i çdo qytetari në nevojë dhe do të ndihmojë edhe në rastet kur problematika e tyre nuk lidhet me Bashkinë, siç ishte rasti i konfliktit mes banorëve dhe CEZ, në Kombinat, ku me ndërhyrjen e Bashkisë u kthyen dritat, apo ai i një dite më parë në Laprakë. Bashkia e Tiranës do të jetë partner i çdo qytetari në nevojë dhe nuk do i përdorë kurrë problemet e qytetarëve, për qëllime politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›