E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku Bashkia projekte per trashegimine kulturore te Tiranes

Bashkia e Tiranës ka nisur promovimin e trashëgimisë kulturore të Tiranës. Ky tur ka nisur me nxënës dhe studentë, të cilët janë njohur me disa nga monumentet historike e kulturore. Turi ka nisur nga Kulla e Sahatit, për të vijuar në kompleksin e Toptanëve, Urën e Tabakëve, Mozaikun e Tiranës etj. Nxënësit dhe studentët janë shoqëruar edhe nga Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Jorida Tabaku.

“Për ne ka shumë rëndësi të kuptojmë, se monumentet kulturore dhe trashëgimia kulturore e qytetit, nuk është vetëm këtu në qendër por ka shumë monumente të trashëgimisë kulturore, të cilët bashkarisht me Ministrinë e Kulturës po i identifikojmë, po përgatisim një bazë të dhënash për të gjithë këto monumente dhe do të përpiqemi maksimalisht që një ndër projektet kryesore të Bashkisë, të jetë mirëmbajtja, gjallërimi i këtyre monumenteve, në mënyrë që të organizohen sa më shumë ture si ky i sotmi” – theksoi Nënkryetarja e Bashkisë znj. Jorida Tabaku.

Tabaku lançoi edhe projektin e ri të Bashkisë, të titulluar “Monumentet flasin”, duke mundësuar që trashëgimia kulturore e qytetit të Tiranës, të vizitohet nga të gjithë turistët dhe kushdo që të vijë në Tiranë, të ketë informacion të bollshëm, të detajuar, për të gjithë këto monumente kulture.

“Ne po përgatisim këtë informacion, po punojmë intensivisht, për ta bërë Tiranën atraktive, si nga pikëpamja turistike, nga pikëpamja e biznesit, por njëkohësisht edhe nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore, kështu që unë e konsideroj këtë projekt si të parin në këtë fushë, por njëkohësisht si iniciatorin e projekteve gjatë katër viteve të ardhshme, për të rigjallëruar identitetin tiranas, për të rigjallëruar identitetin e trashëgimisë kulturore dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Ne do të përpiqemi maksimalisht, nëpërmjet instrumenteve të planifikimit që kemi në dorë, të mos ta cënojmë atë, por ta mbrojmë dhe ta rigjallërojmë” – u shpreh znj. Tabaku.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›