E Diel, 1 Nëntor 2026

Tabaku: Çështje kryesore anulimi i Ligjit për Investimet Strategjike

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Jorida Tabaku, deklaroi sot se shqiptarët nuk janë të lodhur nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, por nga mënyra se si, sipas saj, qeveria po e trajton këtë proces.

Në një videomesazh, Tabaku tha se “shqiptarët nuk janë të lodhur nga integrimi. Shqiptarët janë të lodhur nga retorika e qeverisë dhe mazhorancës me këtë proces integrimi që nuk po e prekin kurrë dhe nuk e ndjejnë as në jetën e tyre të përditshme, as në xhepat e tyre, as në standarde dhe as në vlera europiane”.

Duke iu referuar mbledhjes së Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE-Shqipëri me Parlamentin Europian, Tabaku tha se opozita do të ngrejë në diskutim një sërë çështjesh që lidhen me procesin e integrimit dhe me kërkesat e protestës.

“Sot, në mbledhjen e KPSA me Parlamentin Europian do të diskutojmë pikërisht këto tema, se si procesi i integrimit po ndikon dhe po ndihmon që Shqipëria të integrohet, ndërkohë që fokusi do të jetë edhe te të gjitha kërkesat që protesta ka”, u shpreh ajo.

Tabaku përmendi si një nga çështjet kryesore anulimin e Ligjit për Investimet Strategjike.

“Për më shumë se 110 ditë protesta po kërkon anulimin e Ligjit për Investimet Strategjike, një kërkesë e kahershme e opozitës që sot do të jetë pjesë e debatit”, deklaroi Tabaku.

Sipas saj, në fokus do të jenë edhe amendimet e Ligjit për zonat e mbrojtura dhe Paketa e Maleve, ndërsa do të diskutohen gjithashtu lufta kundër korrupsionit dhe procedurat parlamentare.

“Do të diskutohet lufta kundër korrupsionit dhe fakti se si parlamenti u bë mburojë ndaj zv.kryeministres. Do të diskutohet për ligjet pa procedurë, do të diskutohet që parlamenti, fatkeqësisht, nuk reflekton më dëshirat e qytetarëve, por është kthyer në një noter të Partisë Socialiste”, tha ajo.

Tabaku theksoi se opozita do të vijojë të ngrejë këto çështje në kuadër të procesit të integrimit europian.

“Shqiptarët e duan integrimin dhe në këto vite të gjata pritjeje ajo që ka ndodhur është që qeveria nuk e ka vullnetin në procesin e integrimit. Çdo ditë do të jemi këtu për të folur jo vetëm me zërin e protestës, por me zërin e të gjithë qytetarëve, për të treguar se integrimi duhet të jetë për njerëzit, jo për zyrtarët”, përfundoi Tabaku.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›