Tabaku: Hipotekimi i apartamenteve, nuk është më premtim fushate, po bëhet realitet

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, vlerëson se qytetarët do kenë në dorë shumë shpejt tapitë e shtëpive të tyre. Sipas saj, shumë shpejt Tirana do ketë edhe planin urbanistik, i cili do t’i përgjigjet perspektivës së zhvillimit dhe evropianizimit të qytetit
“U finalizua projekti i hipotekimit dhe së shpejti qytetarët e Tiranës do të kenë në dorë hipotekat e apartamenteve të tyre”. Këtë garanci dha nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku, gjatë një deklarate për mediat. Tabaku tha se “hipotekimi ishte një proces i cili pati vështirësi dhe është bërë një punë intensive, për të evidentuar problemin e tij, që në gjenezë, duke analizuar të gjitha rastet një për një”. “Ka pasur një punë intensive për të kapur problemin në fillimet e tij, pas evidentimit në varësi të problemit kemi bërë ndarjen në 3 grupe. Sot bashkia pas memorandumit të nëshkruar më pare mes 3 institucioneve, të dhënat për grupin e parë ia kaloi Ministrisë së Drejtësisë”- tha Tabaku, duke iu referuar hipotekimit të 120 objekteve të para. Më tej, ajo theksoi se brenda vitit do të përfundojë faza e dytë për shqyrtimin e rasteve të grupit të dytë dhe se po punohet edhe për grupin e tretë. “Po përpiqemi që qytetarët të mos vuajnë pasojat e ndërtuesve apo të mos vullnetit politik. Ne do ta ndjekim procesin edhe në fazat pasuese për të pasur rezultatin përfundimtar që është hipoteka. Nuk do lejojmë që gjatë kontrollit të bëhet shkelje, do të shqyrtohen me imtësi të gjitha rastet që askush të mos privohet nga marrja e hipotekës”- tha Tabaku. E pyetur në lidhje me planin urbanistik të Tiranës ajo shpjegoi se është një proces i gjerë dhe se puna për të ka kaluar në dy nivele, atë strategjik dhe teknik. “Është përcaktuar metodologjia, është një plan që ka pasur gjithëpërfshirje, me rëndësi është studimi i mënyrës se si do të bëhet bashkërendimi me komunat. Nuk do të ketë më vijë të verdhë, Tirana duhet të jetë në funksion të komunave dhe anasjelltas, të kordinojë punën me komunat”- shtoi Tabaku.
Ndërsa në lidhje me punimet në sheshin “Skëndërbej”, nënkryetarja e bashkisë theksoi se puna për shtrimin po shkon drejt përfundimit dhe shumë shpejt Tirana do të çlirohet nga trafiku dhe do të ketë në dispozicion më tepër hapësira të gjelbëra.
Sipas saj, përfundimi i sheshit do të shërbejë për një vijimësi planesh afatgjata siç është dhe zgjatja e bulevardit.
Në lidhje me akuzat e hedhura nga opozita se janë groposur miliona euro me planin e ri urbanistik, Tabaku tha se investimi është atje, asnjë euro nuk është humbur kot dhe se çdo gjë ka qenë transparente.
Në përfundim nënkryetarja e Bashkisë, Jorida Tabaku, vuri në dukje se Bashkia i është përmbajtur pikë për pikë planit të 100 ditëve dhe se ka bërë më shumë nga ç’kishte premtuar dhe se do të vazhdojë puna intensive për planin e ri urbanistik të Tiranës, dy fazat e hipotekimit, tramvaji dhe puna lagje më lagje .