Lushnjë, aksidenti i merr jetën gardistit

Humbja e kontrollit të automjetit e më pas dalja nga rruga i ka marrë jetën pasditen e sotme, punonjësit të Gardës së Republikës, Artur Velaj, i cili po kthehej nga Mallakastra për në Tiranë, ku punonte.
30-vjeçari nga Mallakastra, baba i një fëmije, ishte duke udhëtuar i vetëm në autostradën Lushnje – Fier, pranë fshatit Gorre, kur në orën 16.50 ka humbur kontrollin e makinës, duke dalë nga rruga.
Për rrjedhojë automjeti i tij Golf me targa TR 6645 C ka rënë në kanalin që ndodhej buzë rrugës. Mësohet se në momentin e aksidentit në autostradën Lushnje-Fier kishte shumë trafik, dhe fatmirësisht humbja e kontrollit të makinës nga ana e gardistit Artur Velaj, nuk ka përfshirë edhe makina të tjera në këtë aksident.
Gardistin Artur Velaj e kanë nxjerrë të aksidentuar rëndë disa persona të rastësishëm, që kanë ndaluar makinën në autostradë për ta ndihmuar. Ishin pikërisht këta që kanë lajmëruar edhe policinë për aksidentin.
Gjatë rrugës për në spital, 30-vjeçari Artur Velaj nuk ka mundur t`u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Forcat e policisë rrugore të mbërritura në vendngjarje thonë se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia mbi normën e lejuar, me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit, Artur Velaj.