Nis epidemia e karkalecit, Ministria e Bujqësisë akordon vetëm 3.2 milionë lekë
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit është mjaftuar vetëm me akordimin e një fondi minimal për të luftuar përhapjen e karkalecit në të mbjellat në zonat bujqësore të vendit. Kjo ministri është mjaftuar vetëm me financimin e 3.2 milionë lekëve nga buxheti i saj për zhdukjen e karkalecit. Ky insekt shkatërrues është përhapur kryesisht në Fier, Gjirokastër, Vlorë, etj, duke prishur të mbjellat e fermerëve. Ndërkohë dezinfektimi i parcelave të prekura nga ky insekt, ka qenë fare i ngadaltë për të mbrojtur prodhimet bujqësore. Sipas MBUMK-së, sipërfaqet e tokave të prekura nga ky insekt janë gjithsej 1492 ha në të gjithë vendin, prej të cilave 500 ha në Gjirokastër, 300 ha në Fier, 170 ha në Kukës, 120 ha në Elbasan, etj. Ekspertët e bujqësisë vërejnë se ndryshe nga vitet e kaluara, dy vitet e fundit infeksioni nga ky dëmtues është ulur në kullota e kultura bujqësore, ndërkohë që situata është nën monitorim të vazhdueshëm.
10 Korrik 2009