Taçi jep 50 mijë euro për banorët e përmbytur
Fatkeqësia natyrore që ka ndodhur në zonat e Shkodrës dhe Lezhës ka shtyrë shumë kompani të ndihmojnë me të holla banorët e përmbytur. Shoqëria Taçi Oil ka zgjedhur të jetë pjesë e kësaj nisme solidariteti. Zëvendëspresidente e kësaj kompanie, Anika Taçi, ka theksuar se Taçi Oil, do të dhurojë një shumë prej 50 mijë eurosh për banorët e zonave të përmbytura. Ne do të japim menjëherë 50 mijë euro dhe të gjitha të ardhurat që do të vilen nga
shitja e biletave në takimin miqësor mes Gramozit dhe Real Madrid që do të luhet në Tiranë më 20 janar, u shpreh Taçi. Kompania e Naftës Albpetrol do të japë ndihmën e saj duke shtuar fondin e kësaj fushate bamirësie me 30 milionë lekë të reja, prej të cilave 5 milionë ndihmë nga paratë e 4 mijë punonjësve të saj. Albpetrol do të vendosë në dispozicion edhe mjetet e saj motorike. Edhe Posta Shqiptare ka ndjerë detyrimin të mbështesë me të holla të goditurit nga përmbytja. Arqile Gorea, Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, u shpreh se Posta Shqiptare, do të akordojë 20 mijë euro dhe 1.9 milionë lekë për familjet e përmbytura, 10 automjete dhe të gjithë infrastrukturën e kompanisë prej 551 zyrash në shërbim të Shtabit të Emergjencës. Gorea lajmëroi qytetarët se me anë të Postës Shqiptare ata mund të japin kontributin e tyre financiar dhe material për banorët e zonave të përmbytura.
Last Updated on E Shtune, 09 Janar 2010 21:32