E Diel, 1 Nëntor 2026

Taçi sfidon shtetin, hyn me forcë në ambientet e bllokuara nga tatimorëtNga Tema Rezart Taçi sfidon shtetin duke hequr shiritat bllokues të Policisë Tatimore në kombinatin e përpunimit të naftës në Ballash dhe në rafinerinë e Fierit, tashmë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Taçi sfidon shtetin, hyn me forcë në ambientet e bllokuara nga tatimorëtNga Tema

Rezart Taçi sfidon shtetin duke hequr shiritat bllokues të Policisë Tatimore në kombinatin e përpunimit të naftës në Ballash dhe në rafinerinë e Fierit, tashmë nën pronësi të tij.

Dy ditë më parë autoritetet tatimore bllokuan aktivitetin e tij, pasi prej periudhës kur e ka marrë këtë ndërmarrje, ai ka punuar ilegalisht, pa pasur asnjë të dhënë për aktivitetin e tij e për detyrimet që duhej të paguante në shtet.

Por kësaj here Taçi ka përdorur punëtorët që rropaten për një pagesë për të mbajtur familjen, që të protestojnë përpara ndërmarrjeve të bllokuara dhe që të hyjnë madje me forcë brenda. Të trembur nga fakti që mund të humbasin vendin e punës, pasi kanë parë praktikat që përdor pronari i ri, punonjësit kanë dalë dje për të kërkuar rihapjen e tyre.

“Sot ne duam që të fillojë zhbllokimi i situatës, në të kundërt do ta përshkallëzojmë protestën”, - është shprehur një prej punëtorëve.

Pasi kanë hequr shiritat bllokues, ata kanë hyrë brenda dhe kanë bllokuar hyrjen me autobote për të mos lejuar që ajo të bllokohet sërish.

Pas këtij veprimi kanë nisur sërish shitjet dhe autobotet e kompanisë ARMO kanë vazhduar normalisht të nxjerrin mallin nga uzina.

Policia nuk ndërhyn

Dje pasdite Policia Tatimore ka shkuar për të bërë bllokimin, por e ka pasur të pamundur të ndërhyjë. Edhe pse në vendin e ngjarjes ka qenë dhe një grup i forcave të Policisë së Rendit, ato nuk kanë ndërhyrë.

Ndryshe ka ndodhur ditën e diel, kur autoritetet tatimore janë përballur me ndërhyrjen brutale të policisë, e cila kërkonte që të mos bllokohej kombinati.

Skandali i rëndë ka tronditur strukturat e policisë në Tiranë, të cilët dje kanë nxituar të deklarojnë se nuk ka pasur asnjë përplasje, krejt në kundërshtim me atë që kanë filmuar kamerat e pranishme në vendngjarje.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit duke hedhur tërësisht poshtë si të pavërteta këto insinuata, sqaron opinionin publik se gjatë ditës së djeshme nuk është evidentuar asnjë përplasje mes këtyre strukturave dhe bashkëpunimi i strukturave të Policisë së Shtetit me organet Tatimore në Fier ka qenë dhe vazhdon të jetë në nivelet më të larta”, - thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Reagimi i tatimorëve

Kompania private ARMO, pronë e biznesmenit Rezart Taçi, është një nga firmat që kryen evazion të lartë fiskal. Kjo kompani nuk është e pajisur me matësit, që do të përcaktonin saktë sasinë e naftës që përpunohet, depozitohet dhe nxjerrjen e saj në treg. Administrata tatimore sqaron se vendosja e kësaj aparature është detyrim ligjor, të cilin Rezart Taçi ende nuk e ka plotësuar, ndaj kjo është një nga arsyet e bllokimit të punës. Ky fakt vë në pikëpyetje xhiron reale të kompanisë e për rrjedhojë edhe tatimet që ajo paguan kundrejt shtetit.

“Tatimpaguesi ARMO Sh. A. nuk është i pajisur me autorizim si tatimpagues-akcize, si dhe nuk ka miratim të magazinave tatimore sipas kërkesave që përcakton ligji, nuk ka plotësuar detyrimin ligjor si tatimpagues-akcize për vendosjen e matësve në të gjitha pikat e hyrjes, përpunimit dhe daljes së lëndëve të para, prodhimit gjysmë të gatshëm dhe atij të gatshëm”, - thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Megjithëse ka kaluar një vit nga koha e privatizimit, kompania ARMO ende nuk ka plotësuar dokumentet e nevojshme për të vijuar punën në përputhje me ligjin. Këto pajisje kushtojnë shumë pak, por Taçi kurrë nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë. Mungesa e një kontrolli të saktë për sasinë e naftës, që ajo hedh në treg, jo vetëm që është në dëm të buxhetit të shtetit për nivelin e tatimeve që duhet të paguajë, por mbi të gjitha është në dëm të konsumatoreve. Nafta e Ballshit shitet në pikat e tregtimit të karburanteve për Eurodiesel, ndërsa në rastin më të mirë ajo përzihet me naftën e importit duke ndikuar në dëmtimin e automjetit.

Vonesat

“Administrata tatimore mbetet plotësisht e angazhuar për zbatimin e ligjit tatimor në mënyrë të barabartë dhe të drejtë për çdo tatimpagues. Luftimi i evazionit fiskal dhe i akteve korruptive në të gjitha format dhe trajtat e tyre mbeten prioritet i punës sonë”, - mbyllet deklarata e tatimorëve.

Por, në punën e tyre ata janë më shumë se të vonuar. Një vendim i Këshillit të Ministrave përcakton qartë se ARMO duhet të bëjë raportim të detajuar çdo fillim muaji për aktivitetin e saj.

Tatimorët nuk kanë guxuar të ndërmarrin asnjë hap deri më tani, por ata duhen inkurajuar për të vijuar më tej. Pak kohë më parë një anije e Taçit u fut kontrabandë dhe kur doganierët e Vlorës tentuan ta ndalojnë, hasën madje në dhunë fizike nga truprojat e Rezart Taçit.

Punëtorët përdoren si mish për top

Gazeta boton sot një shkrim të datës 7 dhjetor 2008, kur punonjësit protestonin masivisht kundër pronarit të ri duke e akuzuar se po vjedh ARMO-n.

“Mbi 500 punëtorë, të cilët punojnë aktualisht në Kombinatin e Përpunimit të Thellë të Naftës, Ballsh, protestuan dje paradite pranë hyrjes së këtij kombinati. Protestuesit e shumtë, të mbledhur para hyrjes kryesore të kombinatit, bllokuan edhe rrugën kryesore për të mos lejuar asnjë mjet që të futej në ambientet e brendshme.

Nga ky tubim, protestuesit i dërguan një letër me tetë pika kryeministrit shqiptar, e cila u lexua para tyre. Ata i bënin të ditur kryeministrit se në kombinat janë 60 milionë euro mall, e cila është një pasuri e popullit shqiptar dhe po vidhet nga kompania që e ka privatizuar shoqërinë ARMO. Këtë fakt ata e ilustrojnë me bllokimin që i është bërë një treni me 6 cisterna nga policia e objekteve, duke tentuar të dalë nga uzina. Lidhur me këtë fakt, drejtuesit e kësaj policie, me kontratë të marrë nga Policia e Shtetit, konfirmojnë se, mesnatën e kaluar, nuk është lejuar të kalojë një tren me një sasi prej 360 tonësh karburant naftë. Sipas tyre, shoqëruesit (Taçi) të këtij treni i është kërkuar nga policia e objekteve fatura ku janë xhiruar paratë në bankë për pagimin e kësaj sasie karburanti, siç është vepruar zakonisht në këto raste, sipas policisë, por nuk ka pasur asnjë dokument ose mandat arkëtimi të lëshuar nga banka”.

PS: Një skandal shtetëror. Familja po mbron bizneset e saj

Partia Socialiste reagoi dje në lidhje me skandalin e ndërhyrjes së policisë për të mos lejuar tatimorët që të bllokojnë kompaninë ARMO, në pronësi të Rezart Taçit.

Deputeti Erion Braçe tha se shteti është i kapur nga Familja.

“Përplasja dje e dy agjencive ligjzbatuese në dyert e një biznesi privat tregon nivelin më të lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga interesat e FAMILJES. Ligji është shpallur i padobishëm për këtë vend, sepse ai pengon FAMILJEN të përmbushë interesat e saj. Ngjarja e djeshme ka përmasat e një skandali shtetëror si produkt i përplasjes së egër të klaneve brenda FAMILJES për dominim, administrim, përfitim nga çdo e mirë publike në çdo segment të tregut. Ngjarja e djeshme është një sinjal i vazhdueshëm rreziku për çdo qytetar shqiptar, për çdo biznes të ligjshëm, i cili sot ndjehet i pabarabartë, i konkurruar padrejtësisht, i dhunuar prej korrupsionit qeveritar, i luftuar nga shteti që paguan me taksat e tij, luftë që buron nga interesat e FAMILJES.

Të lumtur që dje zyrtarët e shtetit nuk shkaktuan viktima në palët respektive duke kursyer një tjetër ceremoni dhimbjeje, jemi të shokuar se si institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese heshtën sot dhe iu mohuan qytetarëve shqiptarë të vërtetën e përplasjes së dhunshme e skandaloze të Policisë Tatimore e Policisë së Shtetit në dyert e një biznesi që veç të tjerave ka dhe pozita monopol në interesa shumë fitimprurëse në treg!” - tha Braçe.

“Ne jemi të vendosur sot e në vijim të zbardhim çdo detaj të skandalit të djeshëm, të marrëdhënies së korruptuar të ndërtuar prej një viti mes shtetit të korruptuar dhe një biznesi klient të interesave të gjera, të paligjshme të FAMILJES në pushtet në tregun e hidrokarbureve, të përfitimeve marramendëse të marra prej tyre, të dëmeve të shkaktuara e dëmeve potenciale ndaj punëtorëve që padrejtësisht e në mënyrë kriminale shfrytëzohen në emër të këtyre interesave.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›