E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuptimi i “përrallës së Kazanit” në “Camp Nou”…Nga Besnik Dizdari1. “Përrallë e Kazanit” nuk është përcaktimi im, por i gazetës së përditshme ruse “Sport Ekspres”. Ndërsa gazeta e vjetër, që botohet qysh nga vitet ’20, “Sovjetskij Sport”, të cil

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Kuptimi i “përrallës së Kazanit” në “Camp Nou”…Nga Besnik Dizdari

1.

“Përrallë e Kazanit” nuk është përcaktimi im, por i gazetës së përditshme ruse “Sport Ekspres”. Ndërsa gazeta e vjetër, që botohet qysh nga vitet ’20, “Sovjetskij Sport”, të cilën e kam lexuar rregullisht e pakta për nja 20 vjet rresht (të blerë te “Libri Sovjetik” e mandej me autorizim në Bibilotekën Kombëtare) ka disa përcaktime të tjera, të tilla si: “Fitorja e shkëlqyeshme e përfshin “Rubin”-in në grupin e favoritëve”; “Kur trajneri i “Rubin”-it Kurban Berdyiev vetëm sapo nisi lutjet e tij islame dhe kishte ngritë kryet kah qielli, Rjazancev shënoi golin sensacional nga 30 metra larg”. Apo duke titulluar kësisoji:

”Shoku Berdijev bëri revolucionin rus”, perifrazim ky i një titulli të shtypit spanjol.

E kuptoni që e kam fjalën për një prej rezultateve më të bujshëm të kohëve të fundit të futbollit europian: Barcelona – Rubin e Kazanit, 1-2, e javës që shkoi, rezultat që i përket Grupit F të Ligës së Kampioneve 2009-10.

Ndoshta ia vlen që për botën disi të ngushtë të sportit e të futbollit shqiptar, të shpeshtohen shkrime të thjeshta që tregojnë për kryeveprat e “të vegjëlve” të sportit botëror. Sepse e shohim që Shqipëria sportive po shndërrohet thjesht në një tifoze e papërmbajtshme loteriste vetëm e të mëdhejve të Europës, pa ia hedhur sytë “të vegjëlve”, të cilët papritmas guxojnë të synojnë majën. Dhe duke u marrë vetëm me to, duke i ngritur në qiell në një eufori të papame kronikash e “analizash” të mëdhejtë, ashtu siç e kemi thënë pak ditë më parë, sikur kërkohet të të bëhet shpëlarje truri. Kjo, për ata që kanë mend në krye, nuk i shërben mendimit sportiv në Shqipëri. Ndoshta më fort i shërbejnë rastet e mëdha të “të vegjëlve”. Dhe ndonëse Rubin “i vogël” i Kazanit i përket një shteti të madh sportiv, por edhe futbollistik, siç është Rusia, mbrenda saj ai është i vogël, tejet e vogël…

… Por që ka bërë një gjë të madhe. Gjëja e parë e madhe është se kjo skuadër më 2003 për herë të parë në histori ia arrin të ngjitet në Kampionatin Kombëtar të Rusisë (Premierliga, siç e quajnë). Dhe për çudi, këtu fillon përralla. Mû atë ditë të parë të vitit 2003, kur Rubini debutonte në Kampionatin e madh të Rusisë, disa tifozë të tij u shfaqën në tribunë me një mbishkrim gjigand me fjalët: “Rubin - Barcelona 3-0!”. Ec e merre vesht se çka i kishte shtyrë këta tifozë në këte manierë, patjetër dhe të një humori, natyrisht pa iu shkuar kurrë nëpërmend se mbas 6 vjetëve, e gjithë kjo përrallë do të shndërrohej në një realitet, madje deri dhe në Barcelona – Rubin e Kazanit 2-1!

Rubin i Kazanit u bë kështu klubi i dytë i Rusisë, i cili ka dalë fitimtar në mënyrë të bujshme nga ”Camp Nou”, sepse më 1992 pat ndodhur Barcelona – CSKA 2-3, dhe eliminimi i katalonëve. Tash është Rubin?

Kjo po është përralla.

Në konferencën e shtypit para ndeshjes, dikush i kujtoi trajnerit kazanas se “favoriti i kësaj ndeshjeje njëqind përqind është vetëm Barcelona”. Besimtari i madh i Kazanit vuri buzën në gaz dhe u përgjegj me retorikën e përrallës së tij, që do të shpalosej mbas nja pak orëve: “Me kë nuk është favorit Barcelona në këte planet?” Shpërthyen duatrokitjet!...

I gjithë shtypi spanjol e përcaktonte Rubinin një “kundërshtar të lehtë” si një “klub thuajse i panjohur i një qyteti që është thuajse në Siberi”, dhe që edhe me avion i duhet të fluturojë disa orë të mira për t’u ulur në tokën katalane. Dhe citohej një rus i shquar i sportit: Konstandin Igropulo – hendbollist i Kombëtares së Rusisë, i cili në këte sezon luan me klubin katalonas. Ky hendbollist, ndër më të mirët e botës, i kishte deklaruar shtypit spanjol se “për Rubin të Kazanit edhe vetëm hyrja në “Camp Nou” përballë klubit më klasik të Europës, përbën një festë, kështu që humbja e sigurtë e tyre është një humbje nderi”.

2.

Mirëpo, do të ishte një “schock në stilin rubin”, siç shkruan Artem Agapov, i “Sport Ekspress”, gazetë e cila titullon gjithë faqen e parë me një fjalë të vetme “KРУТО!!!”. Me tri pikë çuditëse. Që kam përshtypjen se në shqip duhet kuptuar për “Rrëmbyeshëm!!!”, diçka si “e papërmbajtshme”. Ndërsa “Sovjetskij Sport” titullon në një mënyrë “më fisnike”: “КРУГ ПОЧЕТА” (“Xhiro ose Vrapimi i Nderit”).

Nuk po i hyjmë një përimtimi se si ndodhi, sepse ndeshja është parë edhe nga shqiptarët. Ajo që na duket me interes është kuptimi i “përrallës së Kazanit”, qytet thuajse në Siberi. Në të vërtetë Kazani është një kryeqytet. Kryeqytet i Republikës së Tatarisë (Tartarisë), 1 milion banorë, por kurrnjiherë i shquar për futbollin e rangut. I themeluar qysh në shekullin XIII, mbasi më 1204 i qe nënshtruar Xhingis Hanit, një lloj porti lumor në një liqen artificial të formuar nga vetë Vollga me emrin e revolucionarit të Tetorit, Kuibishevit. Në mos gaboj të Nikollai Kuibishevit, të pushkatuar më 1938 me Tukacevskin, triumfuesit e Kronshtadit, reabilituar mbas vdekjes, vëlla i Vladimir Kuibishevit, anëtarit të Byrosë Politike të PK të BRSS. Kazani është zemër e Tatarisë (Tartarí, Tarstan) e që sot ndoshta gëzon një autonomi më të lartë të tij, qysh nga 1917 kur iu nënshtrua pushtetit sovjetik. Ndonëse shekujt e kanë mpakë tejet etnikisht, teksa ka 50 përqind tatarë dhe 44 përqind rusë.

Qyteti i Kazanit, atje lart, thuajse ku buron Vollga, është skaji lindor i Europës, e kësisoji lehtë mund t’ia falësh edhe Azisë jofutbollistike, si për t’ia rënduar edhe më tej humbjen Barcelonës – tokë e madhe futbolli. Sidoqoftë, historia e Kazanit, ku në shekullin XVIII do të ndërhyjë edhe kryengritësi i pamshirshëm Pugaçov, që në vitet ’50 trulloste imagjinatën tonë përmes filmave sovjetikë kushtuar atij, ka një bazë të vjetër kulture. Me universitet qysh më 1804, i frekuentuar edhe prej një Tolstoi, e më mbas edhe prej një Lenini natyrisht, Kazani sot i ka të gjitha: 11 institute të larta, universitet, Kremlinin e tij, kështjella, katedrale si dhe minare të 1600-ës.

Industrialisht i njohur deri dhe për prodhimin e avionëve, një strategji e sendërtuar kësisoji në thellësitë gjeografike të ish BRSS, në të vërtetë, nuk duhet harruar asesi më e rëndsishmja: nafta e Tatarisë e zbuluar Mbasluftës po që sot përbën peshën më të sigurtë në prodhimin tanësor të arit të zi të Rusisë.

Me sa duket, këtu është forca prej ku tatarët e Kazanit vendosën të bëjnë edhe futbollin, duke sfiduar gjithë skuadrat e mëdha tradicionale të “Rusisë-Nënë”: Dinamo e Moskës, Spartak i Moskës, CSKA e Moskës, Zenit i Petërsburgut, teksa u shpallën Kampion të Rusisë më 2008.

Kjo është historia e tashme futbollistike e Rubinit të Kazanit, themeluar vetëm më 1958, duke ndërtuar stadium vetëm më 1960 dhe duke u ngjitur në Kampionatin e parë të Kombëtar të Rusisë vetëm më 2003, e shndërruar te Barcelona – Rubin e Kazanit 1-2 të vitit 2009 në sensacionin europian të futbollit.

Ngjarje të tilla, qoftë edhe sportive, vetvetiu kanë në mbrendësi edhe diçka tjetër, një mbrapaskenë prej ku mbërrin mandej një lloj shpërthimi befasues.

Vëzhguesit perëndimorë thonë ndërkaq se shumë ish funksionarë të KGB, përveç gjakimit (pasionit) për karrierën politike, kanë dhe një gjakim tjetër, atë për futbollin. (Gati gati si edhe në raste në Shqipëri, qoftë dhe me bij që kanë guximin të mbërrijnë deri dhe në parlament, çështje të “lirisë demokratike” këto megjithate). Perëndimorët bijnë shembullin e Aleksandër Gusev, president i Rubin të Kazanit, student i formuar në shkollën e ish shërbimit sekret sovjetik, më mbas shef i sigurimit të republikës autonome tatare, deputet, krye i qeverisë.

Mirëpo, futbolli nuk pyet fort për këto karakteristika jashtëfutbollistike. E merr fjalën teknika, specialiteti i lojës, dituritë e futbollit… Dhe mû këtu shfaqet një emër: Kurban Berdiyev, turkmen i besimit islam (nuk i hoqi prej duarve tespitë gjatë 90 minutave të betejës barcelonase), dhe i cili në Rusi ka ardhur vetëm në vitin 2000. Ka ardhur, mbasi kishte stërvitur Kombëtaren e Turkmenisë dhe mbasi kishte qenë trajner në Kazakistan dhe Turqi. E tërheq Rusia ‘e tij’ e dikurshme, ku e nis nga Liga e dytë dhe papritmas, më 2002, e thërret Kazani, të cilin mbrenda një viti e ngjit në Premierligën e Rusisë, arritje historike që në mënyrë të rrufeshme e shndërron këte personazh në “një fenomen kombëtar”, siç shkruan një gazetar. Eshtë një shpërthim: mbrenda vitit në këte debutim të tij të parë historik të asaj që quhet Premierliga e Rusisë, Rubin e Kazanit zë vendin e tretë! Për të shpërthyer vullkani: 2008 dhe Rubin e Kazanit – Kampion i Rusisë!

3.

Dihet, nuk ka futboll europian atje lart në skajin “europianolindor” të Rusisë. Atje ka naftë, aeroplanë, atje ka Vollgë dhe Kama. Atje ka tatarë, atje ka sport, sport të masës e të elitës megjithate, por jo futbollistë. Çka megjithate nuk do të thotë se nuk ka futboll.

Rubin i Kazanit fitoi në Barcelonë duke paraqitur në të blertën mitike katalonase plot 14 futbollistë jokazanas. Të gjithë ishin të ardhur. Të ardhur nga Moska, Tomku, Tbilisi, Novosibirsku, St-Petersburgu, Krasnodari. Dhe mandej të ardhurit më të rëndësishëm: të tillë si mbrojtësi Ansaldi dhe sulmuesi Dominguez i River Plates, të dy nga Argjentina; Navas mû nga Santanderi i Spanjës; Salukvadze nga Gjeorgjia; deri dhe Noboa nga Ekuadori! Mbi të gjithë Gokdeniz Karadeniz – mesfushori i shquar i Turqisë (në katërshe të EURO 2008) nga Trobzonspori. Plot gjashtë lojtarë jo rusë dhe pesë rusë jo të Kazanit prej 11-shit triumfator me në krye Semakun - trurin e mesfushës, për dhjetë vjet kapiten i CSKA, kapiten i vetë Kombëtares së Rusisë, 33 vjeç. Pa harruar të munguarin e madh, Murawskin e Lech të Poznanit të Polonisë, i cili çuditërisht e ka të vështirë të zejë vend në këte 11-sh ndërkombëtar të Rubin të Kazanit, pa asnjë tatar në skuadër, madje pa asnjë futbollist të formuar në farishten e Rubinit!

Kemi të bëjmë me një risi të futbollit të Rusisë, shembulli më i mirë i një globalizmi të futbollit të sotëm edhe në ish shtetin e komunizmit, që për fat as ai nuk ia arriti ta ndërtonte, po ku milionat e naftës sot mund të bëjnë edhe skuadër europiane. Qoftë dhe aty ku një e këtillë nuk ka ekzistuar. Nga të 23 lojtarët e federuar të Kazanit për Ligën e Kampioneve, futbollist i lindur në këte klub është vetëm një: Igor Portnyagine, një gjigand 1.93 cm shtatlartë dhe vetëm 20 vjeç. Kushedi kur do t’i bjerë për të luajtur! Ky djalosh nuk bën pjesë në komercializimin e klubit “të Siberisë” apo të “Uralit”, i cili ka blerë 2 milion euro Navasin, 3.6 milion Ansaldin, 3.2 milion Murawskin, duke u ngjitur te rekordi prej 8.7 milion euro për turkun Karadenz!

Nuk është e lehtë të gjesh në Europë një klub të Lindjes, i sapolindur në kostelacionin e ndritshëm të Ligës së Kampioneve, që të përdorë me kaq lehtësi qysh në hapat e parë të themelimit kësisoji, milionat e eurove për të formuar një skuadër ndërkombëtare, pa bujë, pa zhurmë, por duke shpërthyer në kështjellën e pazaptueshme të futbollit, që quhet “Camp Nou”, përmes një 2-1-shi të javës që shkoi që ka çuditë kontinentin e vjetër, pjesë e të cilit sapo u bë edhe Rubin e Kazanit.

Ndërkaq, rrallë mund të gjendet një klub i lindjes në të cilin rolin më të madh ta luajnë dy njerëz që nuk luajnë në fushën e lojës, si te ky Rubin me president Aleksandër Gusev dhe trajner Kurban Berdyiev.

Natyrisht mbi të dy vetvetiu qëndron ky i fundit. 57 vjeç, ish futbollist i skuadrave kolkozione të Rusisë të tilla si FK Kolkhozki, e mandej edhe i Kairat të Alma Ata apo i SKA të Rostovit mbi Don, klube sa “kooperativiste” – kjo sa për të shqipëruar “kolkozin” - dhe po aq “ushtarake” të Donit të Bashkimit Sovjetik. Në fund të fundit, një trajner i panjohur si dhe vetë Rubini, i cili ka fituar vetëm një kampionat të Turkmenisë (me Nisa Asgavbat), mirëpo – Kampion i Rusisë më 2008! Dhe këtu mbase mund të gjenden rrënjët e “përrallës së “Camp Nou” të njeriut të Zotit që quhet Kurban Berdyiev, islam i pastër në emrin Kurban dhe i rusifikuar në mbiemrin Berdyiev.

Thonë se ai është një specialist i taktikave: 4-4-2, 4-2-3-1, po dhe 4-3-3 ku në mbrojtje sundon gjigandi Cesar Navas nga Spanja, 1.96 shtatlartë, dhe ku forca e pashtershme qëndron te Semak i mesit të fushës i cili ka luajtur dy herë edhe kundër Shqipërisë zâmadhe të Hans Peter Briegel (deri 3-1 në Shkodër kundër Rusisë së Semak-ut).

Me këta personazhe të “përrallës së Kazanit” për të cilën mbas humbjes 1-3 në Kiev me Dinamon e atjeshme, që më tepër se gjithçka dukej si çështje e mbrendshme e shtëpisë së vjetër ish-sovjetike, nxiton me vrap drejt e te 1-1 i ndeshjes Rubin Kazan – Inter, mû aty ku përralla nis e merr forcën e një realiteti, për t’u shndërruar në e vërtetë të pastër në “Camp Nou” mbrëmbjen e 20 tetorit 2009.

Askush nuk mund të parashikojë diçka më tepër se kaq. Mundet që në mbrëmbjen e 4 nëntorit 2009 kur do të jetë kthimi Rubin - Barcelona në qytetin buzë Vollgës, Katalonja të çmitizojë përrallën mbrenda në shtëpinë e vet ku ajo ka lindur, mû aty ku e kanë nisur ta sendërtojnë dy personazhet e mëdhej të Tatarisë: presidenti Gusev dhe trajneri Berdiyev, i cili mbeti në kujtesë edhe me portretin e tij me tespitë në dorë dhe sytë nga qielli duke iu lutur Zotit, ndërsa shënonte nga 30 metra larg Rjazancevi, prej ku niste katastrofa historike e Barcelonës, për të ndritur flakë “rrufeja në qiell të pastër”, siç e përcaktoi UEFA.

4.

Ndonëse Kazani në thelb është një tokë sportive.

Eshtë interesant fakti se tri ditë mbas fitores së Rubinit të Kazanit në Barcelonë, më 23 tetor 2009, presidenti i Rusisë, Dimitri Medvedjev mori pjesë në Kazan në mbledhjen e Këshillit të zhvillimit të kulturës fizike dhe sportit, në praninë e presidentit të Republikës së Tatarisë (Tatarstan), Mintimer Shaimiev. (Dhe mu kujtua Këshilli Kombëtar i Sporteve të Shqipërisë, që u zhduk pa mëshirë!). Natyrisht, kjo mbledhje e rangut të lartë e Kazanit është bërë edhe ngaqë në Kazan më 2013 do të zhvillohet Lojërat XXVII Verore Botërore Universitare (Universiada). Gjithçka u zhvillua nën devizën e forumit “Rusia – shtet sportiv”. Dhe “shtet sportiv” do të thotë përhapje e sportit në çdo kënd të vendit, nga Moska në Kazan, nga Soçi në Urale. Kur mëson këte, atëherë e kupton edhe më mirë “përrallën e Kazanit” që tregon se si mund ta krijosh skuadrën e madhe të futbollit edhe aty ku ajo mungon. Ose edhe aty ku ajo është e vogël, krejt e vogël, siç ishte deri më sot Rubini i Kazanit…

Them se diçka mëson edhe Shqipëria prej kuptimit të “përrallës së Rubin të Kazanit”…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›