Tadic: Institucionet serbe do të mbeten në veri
DECAN- Kryetari serb Boris Tadic, përkundër garancive të autoriteteve shtetërore të Kosovës, në Natën e Krishtlindjeve Ortodokse, edhe mbrëmë në Deçan, si gjithnjë deri më tani, vizitën fetare e shndërroi në vizitë të qartë politike, duke i shkelur kështu normat elementare edhe të mysafirit të paftuar. Në mesnatë, kryetari serb ka bërë një deklaratë tipike politike madje edhe kërcënuese. Ai theksoi se kurrë nuk do ti largojë institucionet paralele të Serbisë në Kosovë.
Ne nuk do të pranojmë të largojmë institucionet tona. Kjo është e pamundur. Nëse do të bënim këtë do të pranonim që në plan afatgjatë të kishte zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe në të njëjtën kohë do të thoshte se serbët nuk do të kishin as shkolla, as shërbim shëndetësor e social si dhe të tjera nevoja shoqërore, ka thënë Boris Tadic nga Deçani për TV Mostin e Zveçanit.
Sipas tij, shumë shtete të fuqishme, anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së po i bëjnë presion Serbisë që të heq institucionet nga Kosova, por kjo nuk do të ndodhë.
Boris Tadic dhe suita e tij politike Deçan është pritur me gurë dhe me protesta. (Koha Ditore)