E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Kosova mund të përfaqësohet nën siglën e UNMIK-ut

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka thënë se Serbia nuk ka asgjë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në takime ndërkombëtare, nëse vendi përfaqësohet si “UNMIK - Kosovo”.

Tadic, me këtë deklaratë, i është kundërpërgjigjur shefit të diplomacisë së Sllovenisë, për mundësinë e takimit ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, gjatë një takimi ndërkombëtar.

“Lidhur me deklaratën e shefit të diplomacisë së Sllovenisë, për mundësinë e takimit të Presidentit të Serbisë, Boris Tadic me Presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu në samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në muajin mars, Tadic ka thënë se Serbia nuk ka asgjë kundër pjesëmarrjes së Kosovës në takime ndërkombëtare, por nëse përfaqësohet si UNMIK-Kosovo”, transmeton televizioni shtetëror serb – RTS, në uebsajtin e tij.

Presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, ka mundësi të takohen në Slloveni, gjatë muajit mars, në konferencën e përbashkët që do të mbahet ndërmjet krerëve të Bashkimit Evropian dhe liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi dje shefi i diplomacisë sllovene, Samuel Zhbogar, gjatë takimeve të tij në Bruksel.

Ndërsa, kryeministri i Sllovenisë, Borut Pahor në një deklaratë të tij të mëhershme ka theksuar se kjo konferencë do të jetë “vendimtare në shumë aspekte” dhe se qëllimi i saj është që të “gjenden zgjidhje për çështjet e hapura në regjionin e Ballkanit Perëndimor”.

Iniciativën për këtë konferencë e kanë marrë kryeministri i Sllovenisë dhe ai i Kroacisë, Borut Pahor e Jadranka Kosor, ndërsa nga organizatorët e huaj janë Këshilli i Europës dhe Komisioni Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›