E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Kriza zgjidhet me paqe dhe dialog

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka kërkuar sot ndërprerje të menjëhershme të konfliktit ndërmjet pjesëtarëve të KFOR-it dhe qytetarëve serbë në fshatin Jagnjenicë.

“I ftoj zyrtarët e KFOR-it, EULEKS-it dhe përfaqësuesit politikë të serbëve, në qetësimin momental të situatës dhe sigurinë e plotë të lirisë së lëvizjes, vetëm nëpërmjet dialogut dhe pa përdorim të dhunës”, tha Tadiç dhe shtoi se “jetët e qytetarëve tanë dhe të pjesëtarëve të institucioneve ndërkombëtare duhet gjithsesi të ruhen”.

Më tutje, siç ka kumtuar presidenca e Serbisë, zoti Tadiç ka theksuar se “KFOR-i dhe EULKES-i, me akte ndërkombëtare, janë të obliguar që me aksionet e tyre të kontribuojnë në qetësimin e situatës”.

Në këtë kuadër, sipas tij, “liderët politikë të serbëve duhet t`i pengojnë ekstremistët, që e sjellin në pikëpyetje sigurinë personale të bashkëqytetarëve dhe të dërguarve ndërkombëtarë në Kosovë”.

Tadiç ka theksuar se vetëm “paqja, dialogu dhe zgjidhja e problemeve, janë dalje nga kjo dhe secila situatë e krizës”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›