Tadic: Ne u kërkuam falje shqiptarëve. Tani ata t’u kërkojnë falje serbëve
BANJA LLUKA - Ndonëse asnjëherë të vetme nuk ka kërkuar falje për krimet e Serbisë në Kosovë, Presidenti serb Boris Tadic edhe dje ka përsëritur se u ka kërkuar falje "edhe shqiptarëve për shkak të krimeve të cilat në emër të Serbisë i kanë bërë disa pjesëtarë të popullit serb". Në këtë kontekst ai kërkoi që tani ti kërkohet falje Serbisë për krimet që u janë bërë serbëve. "Po e bëj këtë sërish, sepse besoj që jo vetëm në kohën e festave fetare duhet dërguar falje njëri tjetrit, për shkak të krimeve të cilat në emër tonë nacional dikush ka bërë në të kaluarën. Do të isha i lumtur po qe se një kërkimfalje e tillë do t'i dërgohej edhe popullit serb", ka thënë Tadic dje në Banjallukë pasi ka deklaruar se tashmë u ka kërkuar falje "qytetarëve të Kroacisë, por edhe boshnjakëve dhe shqiptarëve për shkak të krimeve të cilat në emër të Serbisë i kanë bërë "disa" pjesëtarë të popullit serb. Sipas Presidentit serb, me qindra mijëra krime të bëra në Kroaci, B e H dhe në Kosovë janë kryer vetëm nga "disa pjesëtarë" të popullit serbë! Tadiq edhe vitin e kaluar në Kolumbia Universitet në Nju Jork ka thënë se u ka kërkuar falje shqiptarëve. Por e vërteta është se në fjalimet ap intervistat e dhëna, ai kurrë nuk u ka kërkuar falje shqiptarëve. (d.b/BalkanWeb)