Tadiç: Referendumi, provokim ndaj ndërkombëtarëve

Presidenti i Serbisë në një deklaratë të tij ka kritikuar planet e politikanëve serbë të veriut për të mbajtur një referendum mbi pranimin e institucioneve të Kosovës ose jo.
Tadiç tha se mbajtja e referendumit e planifikuar më 14 e 15 shkurt do të thellojë krizën dhe “do të provokojë reagim ndërkombëtar”.
Ai shtoi se “e tërë bota e di se serbët nuk i pranojnë institucionet e Kosovës”, dhe se referendumi nuk është i nevojshëm.
Serbët e Kosovës kanë bllokuar rrugët në veri të Kosovës që nga vera, si përpjekje për të penguar shtrirjen e autoriteteve të Prishtinës edhe në këtë pjesë që kontrollohet nga strukturat paralele serbe.
Kjo ka shkaktuar incidente me paqeruajtësit e NATO-s dhe i ka bllokuar Serbisë marrjen e statusit të kandidatit për në BE.