E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiç: Të mos bllokohen marrëveshjet e arritura në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka porositur serbët në veri të Kosovës, veçanërisht liderët e tyre politikë, që të mos e bllokojnë zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Kjo sipas tij vlen për liderët në veri të Kosovës, të cilët nuk duhet të fshihen prapa qytetarëve, por edhe për kundërshtarët e tij politikë në Beograd, të cilët thonë se për çdo gjë duhet të vendosin qytetarët. “Kjo do thotë se nuk janë të nevojshme qeveria apo institucione politike, se qytetarët vendosin në referendum. Por, kështu asnjë shtet nuk funksionon”. Tadiç thotë se ka qëndrimin e njëjtë për largimin e barrikadave. Ndërsa për marrëveshjen e arritur në Bruksel thotë se është në përputhje me interesant nacionale serbe. “Zgjidhja nuk është ideale, por unë qëndroj prapa saj”, ka thënë Tadic, cituar nga agjensia e lajmeve Tanjug. “kemi arritur atë që ishte e mundur të arrihej në këtë moment. Me këtë marrëveshje asnjëra palë nuk do të jetë tërësisht e kënaqur “. Sipas tij, kjo është marrëveshje për “pikëkalimet administrative e jo për kufij”, ndërsa përsëriti se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës. “Në marrëveshjen e arritur nuk ka simbole shtetërore të Kosovës, nuk ka asnjë simbol të tillë, as doganierë të cilët do ta kryenin detyrën doganore, ndërsa specifikohet se do të ketë vetëm vëzhgues. Qeveria e Kosovës është pajtuar t`i heqë simbolet shtetërore në zonat e përbashkëta të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, përmes marrëveshjes së arritur të premten në mbrëmje në Bruksel, shkruan sot gazeta Koha Ditore. Kjo gatishmëri e palës vendase është konfirmuar me konkluzionet që janë nxjerrë nga Bashkimi Europian të shtunën, e të cilat janë publikuar edhe nga vetë ekzekutivi i vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›