E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB alarm per lufte civile ne Siri

Kombet e Bashkuara kanë dhënë alarmin e fillimit të një lufte civile në Siri, nëse regjimi i presidentit Bashar-al Assad vazhdon me shtypjen e protestuesve.

Gjatë takimit në Gjenevë vendet anëtarë të Kombeve të Bashkuara kanë votuar për të dënuar shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut gjatë goditjes së protestave në Siri. OKB bën me dije se që prej fillimit të protestave më shumë se 4 mijë persona në Siri kanë humbur jetën .

Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara lëshon alarmin për nisjen e një lufte civile në Siri nëse regjimi i presidentit Bashar al-Assad nuk u jep fund reprezaljeve kundër civilëve që protesojnë kundër tij.
Në një takim urgjent në Gjenevë, ku tematika kryesore ishte Siria, Këshilli vëren se risqet për nisjen e një lufte civile në Siri janë tepër të mëdha, sidomos tashmë pas daljes në publik të asaj që quhet “Ushtria Siriane për Liri”, e përbërë nga dezertorë të ushtrisë së Assad.

Këshilli i të drejtave të njeriut të Kombeve të Bashkuara votoi për të dënuar shkeljet e rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut gjatë goditjes së protestave në Siri. Rezoluta e miratuar nga OKB parashikon krijimin e postit të një hetuesi të posaçëm për të shqyrtuar abuzimet e të drejtave të njeriut në Siri.
37 anëtarë të Këshillit për të drejtat e njeriut votuan në mbështetje të masës. Rusia, Kuba dhe Ekuadori votuan kundër, ndërsa gjashtë vende abstenuan.

Pak para votimit, Komisioneria e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai i tha grupit se një studim i kohëve të fundit i sponsorizuar nga OKB-ja rezultoi se forcat siriane kanë ushtruar të njejtën dhunë si ndaj të riturve ashtu edhe ndaj fëmijëve. Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara iu kundërvu raportit, duke thënë se ai ishte i pabalancuar. Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton tha në Uashington se “mbështet fuqimisht” përpjekjet e komisionit për të “ekspozuar abuzimet nga regjimi i Asadit”. Ajo tha se raporti i Kombeve të Bashkuara tregon se qeveria e Sirisë është “e gatshme të bëjë gjithëçka për të mbytur aspiratat e ligjshme të popullit sirian”.

Ndërkaq, aktivistët thanë se të paktën tetë persona humbën jetën ditën e premte si pasojë e perleshjeve , ndërkohë që mijëra demonstrues i bënë thirrje Turqisë fqinje të krijojë një zonë neutrale për të mbrojtur civilët. Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se që prej fillimit të protestave anti-qeveritare në vend më shumë se 4 mijë persona kanë humbur jetën.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›