Tadiç kundërshton kushtet për anëtarësimin në BE

Presidenti serb Boris Tadiç, ka deklaruar se Serbia është kundër imponimit të kushteve që për t`u bërë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kërkon trajtim të njëjtë si vende e tjera që aplikojnë për t`u anëtarësuar në BE.
Ai i bëri këto komente në Forumin “Serbi-BE”, i cili po zhvillon punimet në Beograd.
“Serbinë nuk mund ta bindë askush se duhet zgjidhur çështja e Kosovës para hyrjes në Bashkimin Evropian. Megjithatë, Serbia po bën gjithçka të mundur që këtë çështje ta zgjidhë në mënyrë demokratike”, tha Tadiç.
Sipas tij, për këtë zgjidhje “janë të nevojshme katër elemente: kërkimi i opsionit otipmal për veriun e Kosovës, garanci për serbët në pjesë të tjera, adresimi i çështjes së trashëgimisë kulturore dhe pasuritë e Serbisë në territorin e Kosovës”.
Tadiç tha se Serbia do dialog konstruktiv me Prishtinën, por theksoi se, për hir të marrjes së statusit të kandidatit evropian, nuk do të heqë dorë nga gjetja e zgjidhjes së drejtë për Kosovën.