E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tadiçi e bojkoton Clintonin!

Nga Express më 11 shkurt 2011 në ora 18:40

Vendimi i kreut të Beogradit që, nën pretekste tejet jobindëse, të bojkotojë Konferencën për Daytonin, të cilën e organizoi ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, si dhe injorimi i State Departamentit ndaj vizitës së ministrit të Jashtëm serb, Vuk Jeremic, dëshmojnë se me udhëheqësinë aktuale Serbia s’mund të llogaris të rris ndikimin e saj në strukturat politike amerikane.

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, dhe ambasadori serb në Washington, Vladimir Petrovic, nuk u shfaqën në konferencën që organizoi në New York ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, me rastin e 15-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Daytonit. Duke u thirrur në burime diplomatike, gazeta beogradase ‘Danas’ njoftoi se presidenti Tadic nuk iu përgjigj ftesës për pjesëmarrje në konferencë nën pretekstin se ende po shërohet nga operacioni i paradokohshëm i thembrës, andaj edhe nuk mund të udhëtojë.

Përveç presidentit serb në konferencë mungoi edh ambasadori kontrovers i Serbisë në Washington, Vladimir Petrovic, i cili po ashtu nuk mundi të merrte pjesë “për shkak të obligimeve”. Për këtë arsye Serbinë në New York e përfaqësoi një diplomat pothuajse i panjohur për opinionin e gjerë, gjegjësisht zyrtari i ulët në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, Fedja Starcevic.

Në konferencën “Amerika në Udhëkryq – Marrëveshja e Daytonit dhe Fillimi i Diplomacisë së Shekullit 21” morën pjesë shefja e diplomacisë së BE’së, Chaterine Ashton, ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, anëtarët e Presidencës së BeH, Bakir Izetbegovic dhe Zeljko Komsic. Në takimin e mbajtur në Qendrën Kimel, të Universitetit të New Yorkut, morën pjesë edhe gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, dhe ish-gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour.

Se aksioni i bojkotit të konferencës nuk ishte rezultat i një zhvillimi të rastësishëm të ngjarjeve dëshmon edhe mosprani në të e anëtarit serb të Presidencës së BeH, Nebojsa Radmanovic, i cili nuk e pranoi ftesën për pjesëmarrje në konferencë, për shkak se “i arriti shumë vonë, megjithëse edhe vetë udhëtimi kushton shumë”.

Lajmi për bojkotimin e konferencës së organizuar nga Bill Clinton erdhi paralelisht me lajmin tjetër, i cili tregon se gjatë vizitës së një grupi politikanësh serb në Lutjen e Mëngjesit, në Washington, Ivica Dacic gëzoi një trajtim dukshëm më të mirë se ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremic.

Sipas gazetës serbe ‘Blic’, lideri i Partisë Soclialiste të Serbisë (SPS), Ivica Dacic, edhe pse vetëm një vit më parë u hoq nga ‘lista e zezë’ e Departamentit të Shtetit e personave që iu ndalohet hyrja në SHBA, u takua me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit, të Kongresit dhe të Shtëpisë së Bardhë.

Me një agjendë kaq të ngjeshur ndërkaq nuk mund të lëvdohej shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremic, i cili, sipas burimeve anonime diplomatike të gazetës, gjatë vizitës në SHBA nuk pati asnjë termin të caktuar në Departamentin e Shtetit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›