Tadiq: Pranojeni marrëveshjen
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic u ka bërë thirrje nga Berlini serbëve të Kosovës që të pranojnë marrëveshjen e arritur në Bruksel për pikëkalimet kufitare, të cilën e kanë arritur ekipet negociatore të Kosovës dhe të Serbisë.
“Unë besoj se serbët e Kosovës duhet të pranojnë këtë zgjidhje. Unë kërkoj nga ata që të pranojnë arritjen e marrëveshjes”, ka thënë Tadic.
Tadic ka marrë pjesë në një tubim të partisë socialdemokrate të Gjermanisë në Berlin.
Tadic ka thënë se këtë nuk e kërkon vetëm nga qytetarët, por edhe nga liderët e serbëve të Kosovës, të cilët, sipas tij, nuk guxojnë të fshihen nga qytetarët.
Presidenti i Serbisë ka thënë se kjo thirrje u dedikohet edhe oponentëve të tij në Beograd, të cilët thonë se për këtë marrëveshje duhet të vendosin vetëm qytetarët.
Mirëpo Tadic ka kërkuar nga udhëheqësit e serbëve të Kosovës, nga të cilët pret që të mos e bllokojnë marrëveshjen e arritur.
Ai ka thënë se Serbia marrëveshjen e arritur e sheh vetëm si marrëveshje për pikëkalimet administrative, e jo për kufij.
“Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e as që do ta bëjë këtë në ardhmen”, ka thënë Tadic.
Bashkimi Europian ka kushtëzuar përparimin e Serbisë në rrugën europiane me dialogun dhe gjendjen në Veri, por Tadic nuk është i sigurt nëse vendi i tij ka shanse që të marrë statusin e kandidatit edhe pas marrëveshjes.
“Është shumë e vështirë në këto rrethana të ndërlikuara që të bëhet një prognozë e duhur”, ka thënë Tadic.
Ai ka theksuar megjithatë se është gjithçka e mundur deri më 9 dhjetor dhe se politikanët europian mund t’i ndryshojnë qëndrimet.
Ai ka thënë se nuk guxon ta thotë me siguri se do të ketë kandidaturë.
“Nëse Serbia nuk e merr kandidaturën, ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë që të heqim dorë nga ajo për shkak se duhet të kujdesemi për interesat e qytetarëve tanë dhe parë së gjithash për shkak të njerëzve të rinj, të cilët pa perspektivë europiane kanë një ardhmëri të paqartë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel gjatë një fjalimi në Bundestag, të premten, ka thënë se Serbia nuk i ka plotësuar kushtet për statusin e kandidatit.
Presidenti serb ka shtuar se kandidatura mund t’i acarojë raportet mes dy vendeve. Tadic ka thënë se Gjermania duhet t’i ketë parasysh raportet të cilat janë riparuar dekadën e kaluar me vështirësi.