Herman Cain tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA

Cain u përshëndet me brohoritje dhe muzikë kur zbriti nga autobusi, dorë për dore me gruan në Atlanta të Georgias. Cain mbërriti në aktivitetin e organizuar në qendrën e asaj që pritej të ishte zyra qendrore e fushatës së tij, dy orë e gjysmë pas fillimit.
10 minuta pas fillimit të fjalimit, entuziazmi i të pranishmëve ra, kur ai njoftoi se nuk do të ishte më një nga kandidatët e Partisë Republikane.
“Duke filluar nga sot, me shumë lutje dhe me gjithë shpirt, po e pezulloj fushatën time për president. Po e ndërpres fushatën presidenciale për shkak të sulmeve të vazhdueshme që më kanë sjellë shqetësime si mua, ashtu edhe familjes time”, theksoi Cain.
Ai tha se e kuptonte zhgënjimin e përkrahësve të tij, por kishte një “plan B”, siç u shpreh ai. Cain tha se do të përpiqet për ndryshimin e politikave të Washingtonit, jo si kandidat presidencial, por me një faqe të re Interneti, me titull “Zgjidhjet Cain”.
“Neve do të na duhet të punojmë pak më tepër, por do t’i bëjmë ndryshimet nga jashtë”, theksoi ai.