E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Arsim cilësor për të gjithë, sfida jonë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, i uroi dje suksese mësuesve dhe nxënësve të të gjithë arsimit parauniversitar, të cilët fillojnë sot vitin e ri shkollor.

Një urim të veçantë, ministri Tafaj u drejtoi fëmijëve, të cilët ulen nesër në bankat e klasës së parë, duke nisur kështu rrugën e gjatë të dijes. Ai tha se nxënësit këtë vit do të gjejnë një shkollë më miqësore, të afërt dhe me mësimdhënie më cilësore. “Sistemi arsimor po zhvillohet me shpejtësi. Janë shënuar arritje shumë të rëndësishme sasiore. Por ne jemi të vetëdijshëm që arritjet sasiore duhet të kthehen në cilësi, që nxënësit të fitojnë dije, duke i shërbyer formimit të tyre si qytetar të një shoqërie demokratike”, shprehet ministri, duke theksuar se: "Arsim cilësor për të gjithë është sfida jonë". Në emër të kësaj sfide, Tafaj, tha se rritja e pjesëmarrjes në arsimin parashkollor i shërben zbutjes së ndryshimeve që ekzistojnë midis fëmijëve, që vijnë nga shtresa të ndryshme sociale, çka garanton rezultate më të mira në gjithë procesin e edukimit, edhe në nivelet e tjera të shkollimit bazë dhe atij të mesëm. “Synojmë që mbi 80% e fëmijëve 5-vjeçar të vijojnë një vit parapërgatitor",- tha Tafaj. Ai vlerësoi se mësuesit dhe shkollat po punojnë me përkushtim, në mënyrë që çdo fëmijë të përfundojë arsimin bazë, pasi synohet arritja e “braktisjes zero”, të arsimit të detyruar. Thithja e nxënësve të komunitetit rom mbetet ende parësore për të rritur shanset e tyre në jetë dhe për integrimin e plotë në shoqëri. Në ditën e parë të shkollës, çdo nxënës i komunitetit rom do të marrë falas paketën e plotë të teksteve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›