E Diel, 1 Nëntor 2026

Ben Blushi rikthehet për herë të tretë me romanin “Shqipëria”

Pas “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, Ben Blushi bëhet gati të hedhë në treg romanin e tretë, që vjen si metaforë për Shqipërinë, përmes një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Libri i ri i është besuar botimeve “MAPO”

Ben Blushi bëhet gati për një rikthim të tretë me historinë e një njeriu që donte të zëvendësonte Zotin. Për të ndërtuar një shoqëri pa Zot, pa pronë e dashuri. Me këtë metaforë nis romani më i ri i Blushit, për të na ngërthyer më pas në një histori më të madhe, atë që Shqipëria ka njohur në një të shkuar jo fort të largët . Ndaj edhe e ka titulluar thjesht “Shqipëria” romanin e tij të tretë, që pritet të hidhet së shpejti në treg nga Botimet “Mapo”. Si në dy romanet e tij të suksesshme: “Të jetosh në ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës’, Ben Blushi duket se ka vendosur të provokojë sërish përmes rikthimit në të shkuarën, apo zhvendosjes në kohë e hapësirë të personazheve. Pasi për Blushin, kjo ndërthurje e ditëve tona me kontekstin historik është: “Njësoj si të jesh në të sotmen, duke parë nga dritarja të djeshmen. Je prapë në të sotmen dhe e jeton atë”. I njohur si politikan dhe publicist, Ben Blushi suprizoi shumëkënd në vitin 2008 me futjen e papritur, por të zhurmshme në letërsi. Romani i tij i parë “Të jetosh në ishull” shkaktoi për letërsinë shqiptare atë “tërmet” që ishim mësuar ta preknim vetëm me romanet e Kadaresë. Kurioziteti për debutimin në letërsi të Blushit (romani i parë, pas disa sprovave të viteve ’90) i la vendin një debati të gjerë, po aq sa edhe shitjes në qindra mijëra kopje të librit. Debatet e provokuara nga ky roman u botuan më pas nga autori në një libër me shkrimet pro dhe kundër për “Ishullin”. E ndërsa diskutimet për romanin e parë nuk ishin fashitur ende, ai hodhi në treg romanin e tij të dytë: “Otello, Arapi i Vlorës” e bashkë me të edhe konfirmimin se përveçse si politikan, Blushi është shkrimtar. Edhe ky libër i dytë kapi majat e shitjeve në vendin tonë, duke u kthyer në një “bestseller”. Në rikthimin e tij të trerë për lexuesit, Blushi vjen me një risi. Romanin e tij “Shqipëria” ia ka besuar botimeve “MAPO”, një markë e re kjo në fushën e botimeve në vendin tonë. Botimet “MAPO” janë markë e grupit mediatik “MAPO” për vepra letrare dhe eseistike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›