Tafaj: Ja piramida akademike që duhet të ndiqni
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, gjatë konferencës “Procesi i Bolonjës, një realitet me shumë sfida për t’u zgjidhur”, e ka cilësuar ofertën akademike të UBT-së në formën e një piramide me një bazë shumë të gjerë. Sipas tij, kjo bazë i përket një Bachelor-i kryesisht për vetëpunësim. Ministri Tafaj vlerësoi se baza e piramidës përmban edhe POSTSEKONDAR dhe në pjesën e mesit të piramidës duhet të vendosen kualifikimet, diplomat Bachelor dhe Master Profesional. Piramida ngushtohet te “Masteri i Shkencave” dhe DND. Ndërsa si majën e piramidës ai ka vlerësuar “Doktoratën”. “Kjo strategji e ofertës akademike u duhet shpjeguar qartë dhe hapur studentëve. Secili duhet të aplikojë për të studiuar në këtë universitet kryesisht për t’u vetëpunësuar dhe për të zhvilluar një aktivitet privat në sektorët e bujqësisë, zhvillimit rural, industrisë agro-ushqimore dhe të shërbimeve të lidhura me to”, tha Tafaj. Kjo konferencë kishte si qëllim bashkëbisedimin e hapur me studentët dhe pedagogët për reformën e arsimit të lartë dhe strategjinë e zhvillimit të tij. Tafaj theksoi edhe një herë reformat kryesore në procesin e Bolonjës. Sigurimi i cilësisë në universitete, orientimi i studimeve drejt tregut të punës dhe zhvillimit ekonomik të vendit, reformimi i financimit të AL-ve të orientuar te studenti në nivelin postsekondar dhe Bachelor, përgatitja e profesoratit të ri, si dhe gjallërimi i kërkimit shkencor, ishin pikat në të cilat u ndal Tafaj. Ai tha se pozicioni i UBT-së, si një qendër e fuqishme mësimore-shkencore në sistemin e AL, do t’i shërbejë bujqësisë dhe zhvillimit rural, industrisë agro-ushqimore dhe sigurisë ushqimore, rrjetit të ekonomisë së shërbimeve që lidhen me të dyja fushat prodhuese.
#