Kryeministri takon shefin e FMN-së
Kryeministri Berisha priti dje në një takim përfaqësuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Gerwin Bell. Gjatë takimit, Kryeministri Berisha tha se jemi të kënaqur të vazhdojmë bashkëpunimin me FMN-në. Bell shprehu mbështetjen e FMN-së ndaj qeverisë shqiptare dhe e përgëzoi atë që kapërceu me sukses vitin 2009. Kryeministri Berisha theksoi se mbetet i vendosur të vazhdojë forcimin e kuadrit makroekonomik dhe stabilitetit makroekonomik, si dhe të rrisë investimet vendase e të huaja. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ka pak informacione se për çfarë mund të kenë diskutuar palët, por mendohet se çështja e borxhit ka qenë në qendër të debatit.
Mësohet gjithashtu se dy ditë më parë palët kanë firmosur marrëveshjen në kuadër të artikullit IV, sipas të cilit FMN do të ketë rolin e monitoruesit të parametrave makroekonomikë. Ekspertët e Fondit do të analizojnë me kujdes buxhetin e vitit 2010, si dhe treguesit ekonomikë të vitit që lamë pas. Gjithashtu, takime Bell do të vijojë edhe me grupe kryesore interesi, siç është parashikuar diskutimi me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, të hënën e ardhshme.
Sa i takon bashkëpunimit me FMN-në, qeveria shqiptare e ka të pamundur të sigurojë financime, sikurse përfitonte një vit më parë. Kjo për shkak të stadit ekonomik ku jemi, si dhe të mbylljes së marrëveshjes vitin e kaluar në janar. Vetë ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi pak kohë më parë se, “edhe po të dojë Shqipëria, FMN nuk jep më para, pasi e ka të ndaluar në bazë të disa rregullave që lidhen me treguesit ekonomikë të vendit”. Shefi i misionit të FMN-së po shikon nga afër gjendjen monetare në vend, nëse është prekur rezerva valutore, si dhe ka paraqitur dy ditë më parë disa teori ekonomike rreth stabilitetit ekonomik.