Tafaj: Mësuesit pa master nuk mund të japin Provimin e Shtetit
Mësuesit do të mund ta japin Provimin e Shtetit në muajin korrik. Agjencia Kombëtare e Provimeve ka shpallur datat zyrtare të provimit, të cilat nisin më 15 deri më 26 korrik.
Ky provim u jep të drejtën këtyre kandidatëve që të ushtrojnë profesionin e mësuesit në profilin që ata kanë mbaruar studimet.
Sipas përgjegjësit të Provimit të Shtetit në Agjencinë Kombëtare të Provimeve, Niko Terezi, deri më tani janë regjistruar 600 kandidatë që do i nënshtrohen këtij testimi. Në “GSH” shkruhet se një risi për këtë sezon është shtimi i tre profileve të reja, mësuesit e gjuhës gjermane, greke, si dhe mësues të arsimit fillor. Për këta të fundit Terezi sqaron se, veç praktikës ata duhet që patjetër të kenë të mbrojtur një master shkencor. Ndërkohë që, për kategoritë e tjera të mësuesve është master professional.
Nëse nuk do të kenë përfunduar një master shkencor, mësuesit e arsimit fillor nuk mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit. Ata duhet të kenë mbaruar patjetër këtë cikël studimesh, pavarësisht se mund të kenë kryer një vit praktikë. Ky është urdhri i fundit i ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj./A.XH