E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Prioritetet e mia në katër vitet e ardhshme



Duke filluar nga viti 2013, të gjithë nxënësit shqiptarë që do të konkurrojnë për universitet në vendet anglisht-folëse nuk do të kenë nevojë të japin provimin e gjuhës. Në daljen e parë publike, dje në një konferencë për shtyp, ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, deklaroi se sfida parësore e ministrisë që drejton është që mësimi i anglishtes të kthehet në nivel profesional, duke bërë që të gjithë nxënësit të kenë mësuar në përfundim të gjimnazit një nivel evropian. Gjithashtu, kjo reformë u jep mundësi gjimnazistëve që të mos kryejnë provime paraprake për t’u futur në universitet, por dhe që të mos humbasin një vit duke mësuar gjuhën. Ministri Tafaj është shprehur se “dëftesa do të jetë e standardeve evropiane dhe çdo gjimnazist do të vazhdojë studimet pasardhëse pa dhënë asnjë provim”. Për të arritur këtë objektiv, kreu i MASH-it ka bërë të ditur se të gjithë mësuesit e arsimit të mesëm në vitin 2013 nuk mund të jenë mësues, pa thelluar njohuritë e tyre në fushën ku kanë kryer studimet për lëndën bazë që bëjnë dhe të kenë kryer Masterin. Kusht tjetër i domosdoshëm që u vihet mësuesve është që të njohin mirë gjuhën angleze ose një gjuhë tjetër të parë, si dhe të jenë të aftë të përdorin teknologjinë e re. Ministri ndër të tjera ka bërë publike se objektivat dhe reformat që do të ndiqen në të katër viteve të ardhshme do të jenë më të thellat që janë zhvilluar ndonjëherë në arsim.

Për këtë, ai ka paralajmëruar tolerancë zero ndaj çdo shfaqje korruptive në çdo nivel të arsimor dhe për këtë arsye, MASH do të vërë në shërbim të qytetarëve, prindërve, nxënësve dy numra telefoni, të cilët mund të ankohen për rastet e korrupsionit apo shqetësime të tjera. Më tej, ministri ka vijuar duke thënë se “buxheti e arsimit do të shkojë në 6% e GDP së burimeve publike, plus 1% nga burimet private, do të thotë se në vitin 2013 sistemi i arsimit në tërësi do të absorbojë të paktën 2 herë më shumë buxhet sesa absorbon sot”.

Nën moton “arsim i standardeve evropiane”, ministri është shprehur më tej në fjalën e tij se në të gjithë Shqipërinë do të ndërtohen shkolla dhe kopshte të reja, si dhe do të arrihet braktisje zero ndaj shkollave. Për këtë arsye do të mundësohet transporti i nxënësve dhe mësuesve deri në zonat më të thella të vendit. Zoti Tafaj nuk ka lënë pa përmendur edhe rastet e fëmijëve që janë të ngujuar, dhe është shprehur se “kemi ngritur një grup pune që po zhvillon mësimin me fëmijët e ngujuar dhe jemi duke punuar më shumë për këtë çështje”. Ndërkohë që një rëndësi e veçantë do t’i jepet, sipas ministrit, arsimit profesional. Ai deklaroi se do të çelen shkolla të reja profesionale, së bashku me konviktet. “Ne duhet të synojmë, që çdo nxënësi t’i krijojmë mundësinë të ketë shanset për të vazhduar një shkollë të mesme të përgjithshme, apo shkollë profesionale”, - tha ministri duke folur për arsimin e mesëm. “Ndërtimi i një rrjeti të ri konviktesh, 7 konvikte të reja që ndërtohen këtë vit, krijon mundësi të plota që nxënësit e zonave të thella të sistemohen në konvikte, aty ku ekzistojnë kapacitetet dhe të kryejnë arsimin e mesëm me nivelin e cilësinë e kërkuar, në mënyrë që të kenë rrugën e hapur për të vijuar arsimin e lartë, apo për të mësuar një profesion”. Mbledhja e djeshme e ministrit të ri, Myqerem Tafaj, me 37 drejtorët e drejtorive dhe zyrave arsimore rajonale, ishte dalja e tij e parë publike si ministër i Arsimit dhe i Shkencës.

Tafaj: Fituesit e Vlorës do të regjistrohen

Edhe dje ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj, ka theksuar se të gjithë fituesit e universiteteve do të regjistrohen. Pak para se ministri të fillonte konferencën me drejtoritë arsimore rajonale, ka bërë të ditur edhe një herë se “të gjithë studentët që rezultojnë fitues në listat e Universitetit të Vlorës, do të regjistrohen në universitet”, duke shtuar se “nuk do të ngelë asnjë student pa vazhduar universitetin”, duke sfiduar edhe njëherë Rektoratin e Vlorës. Ndërkohë që edhe dje drejtuesit e Universitetit të Vlorës nuk kanë pranuar të regjistrojnë fituesit me notë mesatare nën gjashtë, duke shkaktuar tension me ta. Kjo, edhe pas udhëzimit të ri të Ministrisë së Arsimit që i urdhëron drejtuesit e universitetit të regjistrojnë të gjithë fituesit, pa vendime arbitrare.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›