Tiranë; Tentoi vrasjen e babait të së dashurës, gjykata e lë në burg
Gjykata e Tiranës caktoi dje masën “arrest me burg” për personin që tentoi të vrasë babanë e të dashurës, pasi ky i fundit nuk ishte dakord për lidhjen e tyre. Pasi ka dëgjuar rrethanat e ngjarjes nga prokurori dhe fjalën e avokatit mbrojtës, gjyqtari Bujar Krasniqi vendosi të lërë në burg deri në përfundim të hetimeve 25-vjeçarin Ruzhdi Pupla nga Dibra. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:00 të së mërkurës, në fshatin Paskuqan. Sipas akuzës, i riu ishte emigrant në Greqi dhe kishte pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri. Sipas policisë, të riut iu sekuestrua një pistoletë tip “Zastava 635”, dhe dy fishekë me kapsollë, për të cilën dyshohet se do të kryente krimin. Ai kishte shkuar tek banesa e 50-vjeçarit me iniciale H.I., me të cilin kishte nisur një konflikt. Sipas burimeve nga policia, shkak i ngjarjes ka qenë një konflikt për motive të dobëta. Sipas burimeve, 25-vjeçari kishte një lidhje me vajzën e H.I. dhe ai kërkonte që të martohej me të. Por, i ati i saj 50-vjeçar nuk ishte dakord që kjo lidhje të vazhdonte më tej dhe i është përgjigjur negativisht kërkesës së 25-vjeçarit nga Dibra, emigrant në Greqi. Kjo ka bërë që marrëdhëniet mes të dyve të tensionoheshin dhe i riu të shkonte në banesën e tij me një pistoletë, me qëllim për ta vrarë atë. Por ndërhyrja në kohë e policisë bëri që ai të ndalohej dhe të binte në pranga. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. I ndaluari akuzohet për kryerjen e veprave penale të “vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe të “mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.