Hyseni uron Metën: Perspektiva shqiptare, në BE
Shqipëria dhe Kosova kanë një synim të përbashkët dhe ai është integrimi i shpejtë në familjen evropiane. Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, uroi dje homologun shqiptar, Ilir Meta, për zgjedhjen në detyrën e re të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë. Në mesazhin e tij, z. Hyseni vlerëson marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, por edhe dy institucioneve tona, kam bindjen se ato do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej gjatë mandatit tuaj. Sipas tij, Republika e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë kanë përpara punë, synime e sfida të përbashkëta, të cilat edhe për më tej shtrojnë domosdoshmërinë e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe integrimeve të mëtejshme ndërshqiptare. “E ardhmja e përbashkët e dy vendeve tona janë integrimet evropiane. Kjo është perspektiva e pashmangshme e krejt rajonit, për arritjen e së cilës çdo kontribut është i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Kontributi dypalësh i institucioneve tona do të bëjë një hap përpara në integrimet ndërshqiptare, ndërkohë që do t’i afrojë Kosovën dhe Shqipërinë me familjen e madhe të kombeve euro-atlantike”, - përfundon mesazhin e tij ministri Hyseni.