E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Provimet e maturës, në qendrat e rretheve

Ministri i Arsimit dhe i Shkencës, prof. dr. Myqerem Tafaj, ka konfirmuar dje lajmin për ndryshimin e administrimit të provimeve të maturës, publikuar pak ditë më parë në “standard”. Gjatë një bisede me maturantë të kryeqytetit, të zhvilluar në një nga shkollat e mesme të Tiranës, ministri Tafaj tha se në rrethet e vogla provimet do të zhvillohen në qendër të rrethit, ndërsa në Tiranë ato do të përqendrohen në disa pika.
“Këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve veçanërisht në provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla t’i grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit, në salla të mëdha, ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin”, - tha ministri i Arsimit, duke e arsyetuar këtë vendim me akuzat e mëparshme të hedhura mbi maturën.
“Me grumbullimin e nxënësve në qendër të rrethit në salla të mëdha ta përmirësojmë administrimin dhe të heqim edhe çdo dyshim që hidhet se në një rreth të largët administrimi nuk ka qenë në atë nivel si në Tiranë”, - deklaroi ai.
Për më tepër, Tafaj hodhi poshtë të gjithë zërat për ndryshimin e numrit të provimeve apo të koeficienteve të Maturës Shtetërore, duke thënë se diçka e tillë nuk është e vërtetë, ndërsa deklaroi se nuk do të pranohen kërkesa për kritere shtesë nga universitetet, përveçse koeficienteve të lëndëve.

Kemi dëgjuar në media që do të shtohen lëndët me zgjedhje?

Asnjë lëndë e re me zgjedhje nuk do të shtohet këtë vit në Maturën Shtetërore. Do të respektohen të gjitha afatet që kemi dhe në 10-ditëshin e parë të shkurtit janë shumë gjëra që mbyllen për maturën, por lëndët me zgjedhje do të mbeten të njëjtat me vjet, nuk ka asnjë ndryshim.

Kemi dëgjuar në media edhe për ndryshimin e përqindjes së mesatares, sa do të jetë ajo?

Nuk do të ketë asnjë ndryshim, mesatarja do të vazhdojë të zërë 20%. Procedurat do të jenë krejtësisht të njëjta, por do të lehtësohen shumë gjëra për të rritur transparencën, por jo ndryshime themelore. As numri i lëndëve me zgjedhje dhe as lëndët me zgjedhje dhe po ashtu nuk do të ndryshoje as raporti që zë mesatarja në vlerësimin e përgjithshëm.
Kur u zhvillua matura janë marrë mendime dhe modele nga më të ndryshmet. Në fillim mendoja se pesha që zë mesatarja të ishte diku tek 20%, por duke qenë plotësisht të vetëdijshëm që ne kemi ende diferenca jo të vogla në nivelin dhe cilësinë e shkollave të ndryshme, është ende herët të rrisim përqindjen që zë mesatarja. Në të ardhmen, që lidhet edhe me diçka tjetër, ne jemi shprehur të gatshëm për t’u përfshirë në vlerësimin internacional të arsimit parauniversitar, PISA. Në rast se shkollat tona do të vlerësohen në programin e PISA-s në 2010-2011 ne do të kemi një bazë shumë më reale për nivelin cilësor të sistemit tonë arsimor parauniversitar. Pra, do të kemi dhe një bazë reale të diferencave që do të ekzistojnë midis shkollave. Në momentin që do të shohim që këto diferenca janë të pakonsiderueshme, atëherë do të vendosim që të rrisim peshën e mesatares, por me parë nuk na ndihmon të rrisim peshën e mesatares. Matura 2010 do të ketë përsëri mesataren prej 20% të totalit të pikëve.

Gjithmonë është thënë që në shkollat e larta kemi më shumë studentë nga rrethet. A janë të njëjta nga cilësia shkollat e kryeqytetit me ato të rretheve?

Shkollat duhet të plotësojnë standarde të mjaftueshme. Sigurisht që ka probleme në pak shkolla të mesme në nivel vendi dhe matura ka qenë një nga faktorët kryesorë që ka seleksionuar shkollat. Matura u bë një nga faktorët e vlerësimit të cilësisë të nivelit që ka shkolla.
Ne kemi shkolla që plotësojnë standardet e shkollave të mesme, ashtu sikurse kemi dhe shkolla elitare. Në fund të dhjetorit u vlerësuan dhe shkollat më të mira të vitit.
Studimi që është paraqitur në MASH, statistikat që kanë sjellë APRIAL dhe emrat me shpërndarjen sipas rretheve nuk e vërteton këtë. Në degë mjaft të preferuara të universiteteve publike janë disa shkolla që kanë rezultate permanente shumë të mira që janë dy shkolla të rrethit të Fierit, Sarandës, Korçës që çdo vit kanë një grup gjimnazistësh shumë të mirë me numër të tillë pikësh që arrijnë të klasifikohen në degët më të kërkuara. Por mund t’ju them që ka plot rrethe të largëta në Shqipëri ku asnjë student nuk ka shans të arrijë pikët në këto degë. Ky është edhe një problem për mungesën e mjekëve në Has, në qoftë se asnjë studentët nga Hasi nuk arrin të futet në Mjekësi. Kjo është detyra ime. Unë e kam për detyrë të rris kushtet e gjimnazit të Hasit si shembull. Si tendencë kjo nuk vërtetohet që në raport me numrin e nxënësve në Tiranë dhe në rrethe numri i gjimnazistëve të rinj që futen në degët më të kërkuara, është disproporcional, është krejtësisht proporcional.
Matura krijon mundësi për një vlerësim jashtëzakonisht objektiv të nivelit të shkollës.
Ne së shpejti kemi konferencën e Maturës Shtetërore 2010 ku do të sjellim të dhënat për 4 vjet.
Ju garantoj se edhe brenda në Tiranë objektiviteti dhe serioziteti nuk është i njëjtë në çdo shkollë. Keni plotësisht të drejtë që ne kemi shmangie dhe devijime nga njëri rreth tek tjetri. Këto nuk mund të mënjanohen menjëherë. Në rregulloren e re te maturës është një nga momentet që këtë vit do ta kemi në qendër të vëmendjes. Shumë e rëndësishme për të gjithë është raporti që duhet të ketë shoqëria me maturën. Matura duhet konsideruar e paprekshme. Vetë nxënësit duhet të krijojnë këtë ambicie që përmes maturës të marrin një vlerësim real për nivelin e dijeve që kanë arritur në shkollën e mesme.
Një faktor shumë i rëndësishëm përcaktues janë nxënësit vetë, të cilët me ambicien e tyre çdo ditë të provimit duhet të shkojnë në sallën e provimit se ky është një proces transparent, objektiv, që nuk të ul asnjë pikë që meriton. Faktor tjetër janë administratorët që janë në sistemin tonë, mësuesit. Administratorët kanë një rol mjaft të rëndësishëm në procesin e maturës. Serioziteti që duhet të ketë administratori në atë sallë, që ai administron, është përcaktues për zhvillimin objektiv të testit.
Faktor tjetër i rëndësishëm janë edhe kushtet. Këtë vit do të veprohet në krijimin e kushteve veçanërisht në provimet me zgjedhje. Gjimnazistët në rrethet më të vogla t’i grumbullojmë në qendër të nënprefekturës, pra në qendër të qytetit, në salla të mëdha, ku të jenë të gjithë bashkë për të zhvilluar provimin.
Do të vazhdohet të trajnohen mirë administratorët për të njohur procedurat dhe për ta marrë këtë proces me shumë më tepër seriozitet. Që në vitin e parë të maturës administrimi ka qenë serioz, por nuk mund të themi që nuk kemi pasur devijime dhe që në vitin e parë janë marrë masa për këta administratorë dhe do të vazhdojmë t’i forcojmë këto masa. Ata janë mësues dhe mësuesit që nuk do të zbatojnë rregulloren e administrimit të provimit, do të kenë konsekuenca të cilat do të jenë të forta, sepse cenojnë procesin për nxënësit. Me grumbullimin e nxënësve në qendër të rrethit, në salla të mëdha, ta përmirësojmë administrimin dhe të heqim edhe çdo dyshim që hidhet se në një rreth të largët administrimi nuk ka qenë në atë nivel si në Tiranë.
Ky është një ndryshim në burokracinë e zhvillimit të maturës, do të përpiqemi të bëjmë edhe ndryshime të tjera që lehtësojnë procesin e maturës. Një ndryshim tjetër është edhe fakti që të gjitha provimet të mbyllen brenda qershorit. Drejtoritë e MASH-it dhe drejtoritë rajonale synojnë që provimi i fundit me zgjedhje të zhvillohet në ditët e fundit të qershorit, në mënyrë që përgjigjet të jenë në mes të korrikut dhe formulari A2 të plotësohet duke pasur të 4 notat e provimeve dhe mesataren.

A mund të vendoset një koeficient për shkollat e mesme në bazë të rezultateve që ato kanë?

Propozimi është shumë interesant. Deri tani ne koeficientet i kemi diferencuar në bazë të profilit të shkollës. Një diferencim i tillë do të ishte shumë i vështirë, sepse do të ishte një koeficient që do të përfshinte shumë subjektivizëm brenda.

A do të ketë kritere shtesë, siç ndodhi vjet në përplasjen me Universitetin e Vlorës?

Sistemi ynë, siç është ndërtuar, është një sistem që bazohet në koeficientin e shkollës. Unë u kam kërkuar të gjithë rektorëve që të propozojnë çdo gjë në koeficient, por asgjë më tepër, sepse sistemi ynë është i bazuar në këtë strukturë koeficientesh.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›