E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet pa receta, mjekët: Pacientët “vizitohen” nëpër farmaci

Tani vizitat mjekësore kryhen pranë farmacive më të afërta. Për një dhembje koke, marrje mendsh apo bronshit, çdo qytetar arrin të sigurojë medikamente pa shkuar tek mjeku. Shitja e barnave pa recetë ka krijuar lehtësi për personat e pasiguruar, përmes të cilës shmangin faturat e kripura të vizitave, në të njëjtën kohë marrin me vete edhe rrezikun e një trajtimi të gabuar. Nga ana tjetër mjekët pohojnë se gjithnjë e më shumë po vizitojnë pacientë të cilët më parë kanë marrë ilaçe të rekomanduara nga farmacistët.
Mjekët
“E hasim shumë shpesh në punën tonë, pacientë që shkojnë në farmaci marrin një antibiotik për grip, më pas vijnë tek ne dhe rezulton se kanë bajamet e qelbëzuara”, - shprehet mjekja patologe, Luiza Zotaj, në qendrën shëndetësore numër 1. Doktoresha e quan të patolerueshme dhënien e ilaçeve pa recetë mjekësore nga ana e farmacistëve, sipas saj në mënyrën më absolute nuk duhet lejuar një shitje e tillë. “Pacientët rrezikojnë jo vetëm të marrin trajtim mjekësor pa u diagnostikuar për sëmundjen që kanë, në të njëjtën kohë është e dëmshme për shëndetin e tyre, pasi trupit nuk i dihet se ndaj çfarë medikamenti mund të japë rezistencë”, - vijon më tej doktoreshë Zotaj.
Por shitja e ilaçeve duket se është dukuri e kahershme, prej vitesh farmacistët tregojnë barna që janë jashtë listës së listës së OTC-ve. Mjekja gjinekologe Lulëzime Gunaj, e shqetësuar deklaron se mjaft gra dhe vajza të reja trajtojnë infeksionet duke marrë ovula në farmaci pa u konsultuar më parë me gjinekologun. “Kam pasur disa paciente, të cilat kanë ardhur me shqetësime të mëdha shëndetësore, pasi kanë përdorur në mënyrë vetjake ovulat, ndërkohë që ato nuk duhet të shiten në farmaci pa recetë, pasi janë shumë të rrezikshme për shëndetin”, - shprehet mjekja Gunaj.
Shitjet
Vetë Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një listë prej 600 barnash, të cilat mund të shiten pa recetë. Por kjo listë, me sa duket, nuk respektohet, pasi rezulton që farmacistët japin pa recetë çdo lloj ilaçi që u kërkohet, pavarësisht pasojave që mund të sjellë një gjë e tillë. Ndonëse ka qenë e ndaluar që farmacistët të japin çdo lloj medikamenti pa recetë, pacientët i kanë marrë vazhdimisht ato, pa asnjë lloj problemi.
Aktualisht, në të gjitha farmacitë, dhënia e ilaçeve pa recetë është masive. Në lidhje me këtë dukuri Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor në kontratat e reja që do të nënshkruhen me farmacitë, ka shtuar një pikë, në të cilën u vendoset gjobë deri në heqjen e licencave profesionale farmacive që u kapen shitjet e barnave pa recetë. Sipas ISKSH-së, qëllimi i futjes së kësaj pike në kontratat që do të nënshkruhen me farmacitë, vjen në funksion të përdorimit të recetës mjekësore, me qëllim rritjen e sigurisë në përdorimin e barnave, përdorimin e tyre racional dhe mënjanimin e gabimeve mjekësore.
Farmacitë
Në bazë të ligjit, çdo farmaci është e detyruar që për një periudhe kohore prej 2 vjetësh të ruajë në recetat e zakonshme, për tre vjet recetat për barnat narkotike dhe psikotrope dhe për 5 vjet recetat për barnat helme me veprim të fortë. Në bazë të recetave të ruajtura, fletëhyrjeve të barnave të blera nga grosistët dhe gjendjes së barnave në farmaci, do të bëhet kontrolli i çdo farmacisti, ku do të rezultojnë dhe verifikohen se sa është numri i medikamenteve të dhëna pa recetë. Sikurse mësohet, farmacistët kanë një pjesë të ligjit ku përcaktohet se si ilaçi duhet të qarkullojë me dokumentacion të rregullt, me fatura dhe inspektor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›