Ikën SHBA, Gana mban lart nderin e Afrikës
JOHANESBURG-Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë fund ëndrrës së tyre për të kaluar në çerekfinale të Kupës së Botës, pas humbjes 2-1 ndaj Ganës në kohën shtesë. Takimi i luajtur mbrëmë në Rustenburg ka kualifikuar për më tej skuadrën e vetme afrikane të këtij turneu, ndërkohë që amerikanët edhe njëherë kanë treguar një shpirt të lartë gare, nën sytë e ish-presidentit të tyre Bill Klinton. Janë dashur 120 minuta për të përcaktuar çerekfinalistin e dytë. Ganezët e nisën ndeshjen mjaft mirë, duke realizuar që në minutën e pestë me anë të Kevin-Prins Boateng, i cili mes dy mbrojtësve amerikanë, mposhti portierin Tim Hauard me një diagonale perfekte. Amerikanët nuk u dorëzuan dhe krijuan raste të shumta, por goli do të vinte vetëm në minutën e 62-të, pas një penalltie të shkaktuar nga Xhon Mensah dhe të shndërruar në gol nga Landon Donovan. Koha e rregullt ka përfunduar në barazim 1-1 dhe për të përcaktuar fituesin është dashur shtesa. Pas vetëm 3 minutash, Gian përfiton nga një gabim i mbrojtjes amerikane dhe arrin të realizojë me një goditje fluturimthi. Një gol që i shkoi amerikanët, të cilët treguan se në aspektin fizik janë mbrapa ganezëve. Kjo skuadër do të ndeshet në çerekfinale me Uruguajn.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)