E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Sot regjistrohen të gjithë studentët fitues

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj në një prononcim për RTV "Ora News" tha se ditën e sotme deri në orën 18:00 do të bëhet regjistrimi i gjithë studentëve që janë shpallur fitues në MASH. Duke reaguar kështu për protestat e studentëve të Vlorës, të cilët nuk janë regjistruar pasi kanë mesataren nën 6, Tafaj siguron se do të regjistrohen të gjithë studentët. "Deri në orën 18:00 do të gjendet një zgjidhje. U bëj apel studentëve të ruajnë qetësinë", u shpreh Tafaj. I bëri me dije se vendet vakante në universitete do shpallen pas orës 18:00. Studentët fitues të Universitetit të Vlorës me mesatare nën 6 kanë rinisur sot protestat për t'u pranuar të regjistrohen në këtë universitet. Me gjithë deklaratën zyrtare të dhënë nga Ministria e Arsimit se të gjithë personat e shpallur fitues nga ana e saj do të regjistroheshin nga të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë në vend, në universitetin "Ismail Qemali" një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në këtë universitet, janë 600 studentë me mesatare nën 6 që presin të nisin studimet. Vendimi i marrë një vit më parë nga senati i universitetit të Vlorës përcaktonte se nuk do të regjistrohej në këtë institucion asnjë maturant që kishte mbaruar me mesataren nën 6.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›