Tafaji: Vllaznia luan hapur, ky është një avantazh për ne
Jashtë duelit në faqet e shtypit shqiptar nuk kanë ngelur as trajnerët përkatës të Vllaznisë dhe Tiranës, të cilët do të ndeshen sot në "Loro Boriçi". Për teknikun Alban Tafaji, i cili mori Tiranën pas largimit të kroatit Ilija Lonçareviç, kjo do të jetë prova e dytë e zjarrtë, pas asaj të humbur 2-1 ndaj Dinamos pak javë më parë. "Ndeshje shumë e vështirë, shpresojmë t‘ia dalim mbanë, nënvizoi dje trajneri i bardhebluve, i cili dëshiron të mbajë sekret formacionin që do të zbresë sot në fushë. "Kemi disa mungesa, por u kam dhënë besim lojtarëve të tjerë, kam disa dilema për formacionin, do t‘i zgjidh pak para ndeshjes", përgjigjet Tafaj. Megjithatë, tashmë është profilizuar një formacion i mundshëm: Nallbani - Lila, Pashaj, Bici, Abraham - Muzaka, Devolli, Karabeci, Ahmataj - Mukaj, Memelli. Edhe ai si gjithë të tjerët, është optimist se Tirana do të mundet të marrë një trepikësh në folenë e shkodranëve. "Unë e shoh një sfidë që do të flasë për ne, pasi kemi avantazhet tona. Atje luhet hapur dhe ne shkojmë për të bërë futboll të bukur. Kam besim te trepikëshi, edhe pse e di që dhe Vllaznia do të luftojë për fitore", shprehet në mbyllje Tafaji.
A. M
A. M