Korça pret "Ditët e Mios"
Kolonia ndërkombëtare e piktorëve të mbledhur në Korçë për Ditët e Mios, është finalizuar me çeljen e një ekspozite ku janë prezantuar plot 67 punime, kryesisht peizazhe. Edicioni i tretë i arteve figurative në nderim të Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, që vlerësohet si peizazhisti më i mirë shqiptar, ka sjellë në Korçë 35 piktorë të njohur vendas dhe të huaj, të cilët për tri ditë rresht, nën frymëzimin e natyrës dhe të ngjyrave të stinës së vjeshtës, hodhën në telajo peizazhet e larmishme. Piktorë nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Greqia kanë punuar në disa nga fshatrat e Korçës si Liqenas, Vithkuq e Voskopojë vende të cilat kanë tërhequr edhe vëmendjen më të madhe të artistëve figurativë. Kolonia ndërkombëtare e përbërë nga 35 piktorë ka prezantuar punimet në një ekspozitë në galerinë e arteve "Guri Madhi". Sipas piktorit Koço Ristani që ka çelur këtë edicion të tretë, arti figurativ ka kapërcyer kufijtë, ndërsa peizazhet kanë komunikuar me artdashësit duke treguar se falë një pikture të mirë, natyra mund të shijohet edhe brenda mureve. Ndërsa për kryetarin e bashkisë, Niko Peleshi, ky takim që i bashkëngjitet edhe veprimtarive të tjera kulturore e ka kthyer Korçën në një strehë arti. Mes 67 punimeve të krijuara nga artistët një pjesë e tyre do t‘i lihen fondit të Galerisë së Arteve, ndërkohë që ky aktivitet finalizohet në fundvit me konkursin ndërkombëtar "Vangjush Mio". "Ditët e Mios" konsiderohet si një nga veprimtaritë më të rëndësishme të artit figurativ në Korçë.
Ju.Dh.
Ju.Dh.