Luçi: S‘është Tirana e madhe, respekt për të, por jo frikë
Një ditë para ndeshjes me Tiranën, trajneri i Vllaznisë, Roland Luçi, është shprehur në një konferencë për shtyp se "duhet të fitojmë me çdo kusht këtë ndeshje për të kapërcyer krizën. Për sa i përket humbjes me Laçin, tekniku i shkodranëve pohoi se "ishte një humbje e pajustifikueshme. Patëm problem në krahun e majtë. Por tani ajo humbje është futur në arkiv. Ne kemi bërë analizën tonë mjaft të ashpër dhe nuk kemi pse të merremi më me të, por po mendojmë për Tiranën". Sfidën me Tiranën, Luçi e shikon si mes të barabartëve: "Nuk është duhet ta mbivlerësojmë Tiranën, pasi nuk është në nivelet e dikurshme. Kemi respekt për kundërshtarin, por jo frikë. I vetmi favor që ka Tirana, është se ajo ka dalë nga kriza, ndërsa ne jemi ende në ujëra të turbullta. Shpresojmë të japim një lojë të bukur dhe kemi besim se do fitojmë dhe do futemi në fushë me këtë mentalitet". Në lidhje me formacionin, tekniku thekson se ka një grup të plotë, përveç Beqirit, që është në dyshim për shkak të dëmtimit". Në fund të konferencës, drejtuesi i stolit të Vllaznisë u bën thirrje tifozëve t‘i mbështesin dhe jo të justifikohen se gjoja nuk ishim të pranishëm në shkallët e stadiumit për shkak të kohës.
Ar.Ho.
Ar.Ho.